Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka thënë se ai i ka ofertuar Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, që President të zgjidhet kandidati i propozuar nga partia e tij.
“Sot, në takimin e dytë që pata me z. Kurti pas mbledhjes së partisë, si PDK dhamë mundësinë e fundit dhe konkrete, kërkuam që të zgjidhet presidenti i propozuar nga PDK që të garantohet stabilitet institucional”, ka deklaruar Hamza.
Sipas Hamzës, PDK me këtë propozim, që është i fundit për Kurtin, ka përmbushur kontributin e saj në evitimin e zgjedhjeve në mungesë të votimit të presidentit.
“Me këtë ofertë do të bëhet në frymën e përgjegjësisë dhe për të mos lënë vend për krizë. PDK vlerëson se kontributi ynë është përmbushur”, ka shtuar i pari i partisë më të madhe opozitare.
Hamza, po ashtu, ka deklaruar se prej sot organizata që ai drejton ka vendosur të mos marrë më asnjë veprim sa i përket çështjes së presidentit dhe se kanë zgjedhur të presin lëvizjet e radhës nga Lëvizja Vetëvendosje.









