Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në fillim të mbledhjes së Qeverisë, ka folur edhe për çështjen e Presidentit, duke treguar se çfarë duhet të bëhet, por jo se çfarë po bën, ndonëse kanë mbetur edhe pak kohë, sipas afatit kushtetues.

“Aktgjykimi i Kushtetueses, i cili prodhoi një normë të re lidhur me rrjedhjen e afateve për zgjedhjen e Presidentit, na vë përpara një situate urgjente për veprim. Ne kemi një marrëveshje me LDK-në, por e dimë që ajo u shkel dhe u braktis nga gjashtë deputetë të saj, përkundër që ajo e kishte bekimin e kryesisë së partisë së tyre”, tha Kryeministri.

Ai ka bërë një thirrje të thjeshtë për partitë e tjera politike, duke iu drejtuar me fjalët: “Le të ulemi bashkë”.

“Para nesh, po sot, kemi edhe 6 ditë të plota për t’i dhënë vendit president ose presidente të re. Përveç arritjes së një marrëveshjeje të re dhe zgjedhjes së presidentit, përveç se arritjes së një marrëveshjeje të re dhe zgjedhjes së presidentit është e mundshme, rrjedhimisht zgjedhjet e reja të panevojshme, me pasoja të rënda, gjithsesi se janë të shmangshme, andaj le të ulemi bashkë”, deklaroi Kurti.

Kurti paralajmëroi se dështimi për zgjedhjen e Presidentit do ta çonte vendin drejt zgjedhjeve të reja, të cilat, sipas tij, nuk do ta zgjidhnin çështjen e Presidentit dhe do të krijonin paqartësi institucionale.