Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, po thotë se Lëvizja Vetëvendosje do të kërkojë takime të tjera me partitë opozitare që të diskutohet rreth çështjes së presidentit.

Sipas anëtares së VV-së, derisa të krijohen kushtet për të vazhduar seanca për zgjedhjen e presidentit, duhen diskutime serioze e jo procedurale.

“Unë mendoj që kjo çështje i takon niveleve dhe grupeve parlamentare, diskutimeve që do të bëhen në këtë drejtim. Në anën tjetër, në ditën kur ne kemi pasur përpjekje për ta zgjedhur presidentin e vendit, pra më 5 mars konkretisht, nëse i rikthehemi asaj seance, unë kam thënë në fund që seanca do të vazhdojë kur të plotësohen kushtet për këtë. Pra, unë nuk e kam mbyllur seancën, unë e kam ndërprerë atë, sepse natyrisht që ka dallim edhe nëse bazohemi në aktgjykimet e mëparshme të Gjykatës Kushtetuese. Prandaj, seanca do të vazhdojë në momentin që do të krijohen kushtet. Deri atëherë nevojiten diskutime serioze, pra jo në aspekte të tilla procedurale, por diskutime serioze nëse duam apo nuk duam përnjëmend ta zgjedhim presidentin”, deklaroi Haxhiu.

Haxhiu dha detaje edhe për temat të cilat pritet të diskutohen në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit, e cila është thirrur për ditën e hënë.

“Së pari, unë kam thirrur një mbledhje të Kryesisë së Kuvendit për të trajtuar shumë projektligje që ndërlidhen me marrëveshjet ndërkombëtare dhe jo vetëm. Pra, në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit, për të cilën janë njoftuar edhe mediat, kemi shumë tema të rëndësishme që ndërlidhen me interesat e qytetarëve dhe vetë Republikës së Kosovës. Mendoj që orientimi ynë duhet të jetë në dy drejtime: së pari, që t’i adresojmë të gjitha përgjegjësitë që kemi në raport me agjendën legjislative, por edhe çështje të tjera; dhe e dyta, në drejtim të përpjekjes për arritjen e konsensusit për ta zgjedhur presidentin apo presidenten e vendit. Në të dyja drejtimet, natyrisht që roli i Kuvendit është shumë i rëndësishëm, prandaj edhe si kryetare e Kuvendit po përpiqem maksimalisht që t’i adresojmë përgjegjësitë që ne i kemi”, shtoi Haxhiu.

Në bazë të vendimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese, Kuvendi ka kohë edhe 32 ditë që të mblidhet për të zgjedhur Presidentin e ri të Republikës së Kosovës.