Pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve parlamentare të 7 qershorit, Ushtruesja e Detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, ka thënë se seanca konstituive e Kuvendit do të thirret brenda afatit të përcaktuar me Kushtetutë.

“Në përputhje me përgjegjësitë kushtetuese, seanca konstituive e Kuvendit të Republikës do të thirret brenda afatit të përcaktuar me Kushtetutë, duke hapur rrugën për themelimin e institucioneve të reja të dala nga vullneti i qytetarëve”, shkroi Haxhiu në Facebook.

Me certifikimin e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të 7 qershorit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ajo theksoi se përmbyllet një proces i rëndësishëm demokratik për Republikën.

“Besimi i dhënë nga qytetarët është një përgjegjësi e madhe. Çdo mandat duhet të ushtrohet me integritet, llogaridhënie dhe përkushtim të palëkundur në shërbim të interesit publik, demokracisë dhe të ardhmes së Republikës sonë”, shtoi ajo.

Rezultatet e zgjedhjeve të 7 qershorit u certifikuan nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) të mërkurën, pasi që Gjykata Supreme refuzoi të gjitha ankesat.