Bjellorusia po propozon ndërtimin e një centrali bërthamor të energjisë në lindje të vendit në mënyrë që të furnizojë me energji pjesët ukrainase të kontrolluara nga Rusia, ka thënë presidenti bjellorus, Alexander Lukashenko.
Lukashenko ia ka dhënë këtë ide presidentit rus, Vladimir Putin, në bisedimet e Kremlinit në Moskë.
“Nëse merret ndonjë vendim, ne do të fillojmë menjëherë punimet për ndërtimin e një njësie të re ose një stacioni të ri nëse është nevoja (për energji elektrike) në perëndim të Rusisë dhe në rajonet e çliruara”, ka thënë Lukashenko, duke përdorur gjuhën e Moskës për territoret e kapura nga Rusia.
Putin u përgjigj se “financimi nuk është aspak shqetësim. Nëse ka ndonjë konsumator që do ta marrë energjinë elektrike dhe do ta paguajë tarifën e nevojshme, nuk është aspak problem”.
Bjellorusia është një aleat i afërt i Moskës dhe i ka qëndruar mbrapa në luftën e saj në Ukrainë. Putin takohet me Lukashenkon më shpesh se me çdo lider tjetër të botës.