Gjashtë gazetarë të Radio Televizionit janë përjashtuar nga moderimi i emisioneve, me një njoftim, sipas gazetarëve, të “paparalajmëruar”, “arbitrar” dhe “joligjor”. Ata thonë se ishin paralajmëruar për heqjen nga skema programore e magazinave informative, sa herë që kanë pasur intervista me të ftuar nga pushteti, e të cilët kanë shprehur pakënaqësi me ballafaqimin profesional.

Lidhur me këtë situatë, gazetarja Edona Musa, ka shkruar ">në Facebook se kanë kërkuar edhe takim me menaxhmentin e RTK-së, “por nuk kemi marrë përgjigje”.

“Tendenca është e qartë dhe e shpërfaqur hapur. Këtë e vërteton edhe fakti i paralajmërimeve për heqjen nga skema programore të magazinave informative, sa herë që në këto magazina janë realizuar intervista me të ftuar nga partia në pushtet, të cilët kanë shprehur pakënaqësi nga ballafaqimi profesional”, shkroi ajo.

Vendimi, sipas saj, “arbitrar” për ndërhyrjen në skemën programore, duke hequr Magazinën e orës 17:00 dhe muaj më parë Magazinën “Lajmet e fundit”, është edhe “i paligjshëm, pasi skema programore mund të ndryshohet vetëm nga Bordi, ndërsa aktualisht RTK nuk ka Bord funksional”.

“Ne, në vazhdimësi, jemi përballur me presion dhe akuza të pabaza nga eprorët, por asnjëherë ata nuk kanë pranuar t’i evidentojnë ato në mënyrë elektronike. Andaj, ushtrimi i detyrave tona të punës është bërë i vështirë, gati i pamundur”, shtoi.

Ky vendim, sipas Musës, ka një qëllim: “heshtjen e zërit të panënshtruar dhe profesional brenda Transmetuesit Publik”.

“Ky është një alarm shumë serioz për funksionimin e Transmetuesit Publik dhe për demokracinë në vend”.

Gazetarët që janë përjashtuar nga moderimi janë: Blerta Foniqi Kabashi, Meneta Zekaj Nushi, Jehona Zhitia, Edona Musa, Arton Mulliqi dhe Valon Bajrami.