Ministri i Bujqësisë, Armend Muja, nuk ka reaguar për rastin e 103 tonëve mish me afat të skaduar që, sipas autoriteteve të Malit të Zi, ishte destinuar për kompaninë “Apetiti” në Kosovë.

As Muja dhe as Ministria e Bujqësisë nuk kanë thënë asnjë fjalë për këtë rast.

Mishi u kap në Portin e Tivarit në Mal të Zi, ndërsa autoritetet malazeze njoftuan se ishte me origjinë nga Brazili dhe ishte destinuar për kompaninë “Apetiti”.

Sipas Drejtorisë së Doganave të Malit të Zi, punëtorë të angazhuar nga një kompani nga Kosova kishin hequr etiketat origjinale, ku ishte shënuar se mishi kishte skaduar, dhe më pas kishin vendosur etiketa të reja me afat të ndryshuar të përdorimit.

Vox Kosova ka dërguar pyetje në Ministrinë e Bujqësisë lidhur me këtë rast, por nuk ka marrë përgjigje.

Muja ka qenë i zëshëm në raste të tjera që lidhen me sigurinë ushqimore dhe mbrojtjen e konsumatorit, veçanërisht në rastet e produkteve të qumështit dhe përdorimit të vajit të palmës ku ka dalë me dhjetëra konferenca, e statuse ne rrjete sociale.

Por, për 103 tonë mish me afat të skaduar që po dërgoheshin drejt Kosovës, Ministri i Bujqësisë nuk ka dhënë asnjë sqarim.