Shkelje të rënda ka gjetur Zyra Kombëtare e Auditorit në ndarjen e subvencioneve nga Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit gjatë vitit 2025, periudhë kjo gjatë së cilës me këtë Ministri udhëhoqi Hajrullah Çeko.
Auditori, ka evidentuar se në 11 raste të testuara, në vlerë 1 milion e 814 mijë euro, përfituesit e subvencioneve nuk kishin dorëzuar raportet për arsyetimin e shpenzimeve me kohë, të cilat, sipas marrëveshjeve, do të duhej të ishin mbyllur deri në fund të vitit 2025. Dhe, për më tepër, avancet figurojnë ende të hapura.
Gjithashtu, MKRS kishte lidhur memorandum bashkëpunimi me Radiotelevizionin e Kosovës (RTK) në vlerë prej 100,000€ për transmetimin e ndeshjeve të Kombëtares së Kosovës në futboll për muajt mars dhe qershor 2025, pavarësisht se RTK është transmetues publik i financuar nga Kuvendi.
Kjo, ishte bërë në kundërshtim me ligjin.
“Rregullorja MF–Nr-04/2017 mbi kriteret, standardet dhe procedurat e financimit publik të OJQ-ve si dhe, Rregullorja Nr. 09/2015 për subvencionimin në fushën e kulturës, trashëgimisë kulturore, rinisë dhe sportit nuk parasheh financimin për Institucionet me status të Institucionit të Pavarur Publik”, ka sqaruar Auditori.
Auditori ka vërejtur po ashtu se MKRS, duke u mbështetur në kategorizimin e sportistëve dhe trajnerëve për vitin 2025, kishte dhënë subvencion në një rast në vlerë 3,500€ jashtë afateve të përcaktuara ligjore. Kërkesa për financim ishte paraqitur individualisht, jo përmes federatës, dhe pas datës 31 dhjetor, në kundërshtim me rregulloren në fuqi.
Edhe në financimin e organizatave sportive, ZKA ka gjetur se Komisioni për vlerësimin e projekteve për financimin ishte emëruar në kundërshtim me rregulloren, pasi që në përbërjen e tij ishte vetëm një anëtar nga Agjencia e Sportit, në vend të dy anëtarëve të parashikuar.
Në anën tjetër, sipas Auditorit “në ftesën publike për përkrahjen financiare për botimin e librave për vitin 2025, MKRS kishte emëruar Këshillin e Librit me mandat katërvjeçar. Megjithatë, përbërja e këtij këshilli nuk përfshinte një anëtar nga komunitetet joshumicë, siç kërkohet me legjislacionin në fuqi”.
Gjithashtu, siç bëri të ditur ZKA, në thirrjen Publike për financimin e OJQ-ve në fushën e kulturës, artit dhe trashëgimisë kulturore, komisioni vlerësues është themeluar 10 ditë pas përfundimit të afatit të thirrjes, dhe jo gjatë kohës së hapjes së saj, në kundërshtim me kërkesat e rregullores në fuqi.
Lexo gjithashtu:









