James Rubin, ish-diplomat amerikan, ka thënë se deklarimet për “Shtab të Përgjithshëm të UÇK-së” dhe “Qeveri të Përkohshme” ishin më shumë aspirata të ish-krerëve të UÇK-së, sesa gjendje faktike, duke e konsideruar si absurde që të quhet Shtab i Përgjithshëm “një çadër me dy karrige”.

“Thjesht po them që ato emërime ishin aspirata… Ata shpesh ekzagjeronin, ndoshta edhe unë do ta kisha bërë. Por unë si i jashtëm duhet t’i bëjë dallim”, tha Rubin në ditën e dytë të dëshmisë së tij në Gjykatën Speciale si dëshmitar i mbrojtjes në gjyqin ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

I pyetur për Shtabin e Përgjithshëm, ai potencoi se “nuk kam parë asgjë në Kosovë që i përngjante Shtabit të Përgjithshëm”.

“Nuk ka pas ndonjë Shtab për gjeneralët në kontekstin e Kosovës. Unë s’kam pa ndonjëherë gjeneral. Unë s’kam pa ndonjëherë Shtab të Përgjithshëm të gjeneralëve”, shtoi.

“Unë thjesht po theksoj se në një zonë luftë, kur je në terren dhe merr pjesë në negociata të larta, me një grup njerëzish që po luftojnë lirinë, ata të paraqiten si një organizim i lartë me Shtab të Përgjithshëm e Qeveri të Përkohshme, unë po ju them që e përshkruanin veten më shumë se që ishin”.

Për të, është absurde ta përshkruash një vend me një çadër dhe dy karrige si zyrë e Shtabit të Përgjithshëm.

“Kur përmend Shtabin e Përgjithshëm, nuk është i njëjti vend ku kam qenë. Unë nuk do ta quaja atë mbledhje e Shtabit të Përgjithshëm një vend me një çadër dhe dy karrige ta përshkruash si zyrë të Shtabit të Përgjithshëm më duket absurde”, deklaroi Rubin ndër të tjerë.