“Njerëzit që janë pasuruar, në kurriz të popullit, Byroja për Konfiskimin e Pasurisë, do t’ua marrë çdo cent.” Deklaronte Kurti.

Por jo, nuk do t’ia marrë asnjë cent. Askujt.

Nëse ndodh që pas 7 vitesh tentim, kjo byro të formohet, ajo nuk do të konfiskojë asnjë pasuri të asnjë politikani.

Këtë e thotë vetë, me zë e figurë, Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla Schëarz.

“Byroja nuk konfiskon. Byroja nuk gjykon. Byroja nuk i zëvendëson gjykatat. Byroja mbledh, verifikon dhe analizon informacionin.Vendimi për konfiskim merret nga Gjykata.” Deklaron Gërvalla.

Pra emrin e ka Byroja për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme por në thelb është veç përgatitore e analitike. As vendimmarrëse e as ekzekutuese.

Qëllim fillestar e kishte hetimin e pasurisë së zyrtarëve publikë dhe konfiskimin e pasurisë që nuk mund të justifikohet me pagat e tyre.

Por premtimit të madh të Kurtit të vitit 2019, tash në 2026-ën, i ka mbetur i njëjtë, veç emri i Agjencisë.

“Nëse zyrtari i Byrosë vëren se arrihet të përmbushet standardi civil i vlerësimit të gjasave dhe se ka shpërputhje në mes të hyrave dhe pasurisë, që tejkalon vlerën 25 mijë euro, atëherë zyrtari i Byrosë propozon dërgimin e çështjes në Gjykatë për konfiskim”

Kështu pra thuhet në ligjin e ri për Byronë që kaloi për herë të tretë në Kuvend.

Korrupsionin eventual nën 25 mijë euro e arsyeton krejtësisht.

E mbi këtë shifër, zyrtari i Byrosë veç propozon. Propozim që vendos ta çojë më tutje ose jo drejtori i vetë Byrosë, që edhe ai s’ka fuqi më shumë se propozim për Gjykatën.

E cila më pas bën hetimin e vet dhe mund të vendosë për konfiskim. Po njëjtë siç mund të vendosë edhe sot.

Siç thotë Ligji i shkruar nga Vetëvendosja, kjo Byro lëre më jo konfiskimin, por as mund ta detyrojë dikë të sjellë as dokumente që dëshmojnë pasurinë e tyre pa dashur gjykata.

“Kur personat tjerë fizikë dhe juridikë vendorë nuk i përgjigjen kërkesës së Byrosë brenda afatit nga paragrafi 2 i këtij neni, Byroja mund t’i kërkojë Gjykatës, që ndaj atij subjekti të marrë aktvendim për dorëzimin e informacionit dhe dokumenteve sipas kërkesës së Byrosë.”

Pra proklamimi i çdo fushate zgjedhore që Vetëvendosja e përdor për të elektrizuar masat nuk është asgjë më shumë se një mekanizëm që thjesht do të luajë një far roli të Agjencisë kundër Korrupsion duke mbledhur, verifikuar dhe analizuar informacione.

Por, ekziston një fushë ku Vetëvendosja mund ta përdorë këtë Agjenci. Për propagandë.

Ta zëmë agjencia fillon hetimet për kundërshtarët politikë të pushtetit. Nis procesi. Mbushen rrjetet sociale se filan politikanit po i kontrollohet e mbase konfiskohet pasuria. Normalisht, në fund nuk ndodhë gjë, por derisa të kalojnë kushedi sa vite e të mbyllet procesi, Vetëvendosja merr atë që do, njollosjen eventuale të kujtdo që i intereson në atë moment.