Albin Kurti e ka bërë si një nga kryetemat e fushatës Byronë për Konfiskimin e Pasurisë, me pretendimin se ajo do të ketë rol ekzekutiv e vendimmarrës në konfiskimin e pasurisë.

Por, ajo çfarë thotë Kurti është e pavërtetë.

Ligji që qeveria e tij e ka hartuar dhe që është votuar në Kuvend, nuk i jep detyra Byrosë që të konfiskojë. Kompetencat e saj mbeten të kufizuara, kryesisht mbikëqyrëse dhe informuese.

“Edhe kena me ba Byronë për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, veç vonim se pshtim s’ka…”, tha të martën Kurti në një takim elektoral në Prizren.

Se Byroja nuk konfiskon, e kishte thënë edhe ministrja e Drejtësisë në detyrë, Donika Gërvalla, më 17 prill në një seancë të Kuvendit.

“Byroja nuk konfiskon. Byroja nuk gjykon. Byroja nuk i zëvendëson gjykatat. Byroja mbledh, verifikon dhe analizon informacionin. Vendimi për konfiskim merret nga Gjykata”, kishte deklaruar ajo.