Nick Cave & The Bad Seeds kanë njoftuar albumin e ri live “Live God”, që kap turneun e lavdëruar të albumit të tyre të vitit 2024 “Wild God”.
Tashmë shija e tij e parë mund të provohet me regjistrimin live të këngës “Wild God” nga koncerti i tyre në Paris.
Turneu i jashtëzakonshëm “Wild God” pa grupin të performonte në Mbretërinë e Bashkuar, Europë dhe Amerikën e Veriut gjatë viteve 2024 dhe 2025. Tani, një album live me 18 këngë të regjistruara gjatë këtyre datave do të dalë më 5 dhjetor.
Nick Cave i përshkroi koncertet si “një antidot ndaj dëshpërimit”.
Ndërsa, bateristi dhe perkusionisti i vjetër Jim Sclavunos pajtohet se “ky turne dukej qartazi më përqafues ndaj dashurisë për jetën”.
“I gjithë turneu kishte një frymë të gëzueshme e plot jetë. Ne kemi ecur për një kohë të gjatë në shtigjet e zymtësisë”, thotë ai.
Ai, gjithashtu, vuri në dukje se si grupi dhe fansat i panë koncertet si një ilaç shpirtëror.

Albumi “Wild God” i Nick Cave & the Bad Seeds është vlerësuar si një kryevepër që rilidh dashurinë me jetën.
Duke reflektuar mbi dhimbjen, vdekjen dhe vuajtjen, Cave gjen euforinë – përkundër gjithçkaje, në këtë album plot gëzim e melodi mahnitëse.
Momenti më domethënës në “Wild God” vjen rreth një çerek ore pas fillimit. Kënga “Joy” hapet në mënyrë tipike për këngët e fundit të Nick Cave – me një stil të lëvizshëm, pa ritëm dhe pa strukturën klasike të strofës dhe refrenit – një eksperimentim që ai dhe bashkëpunëtori i tij kryesor Warren Ellis e filluan në albumin “Push the Sky Away” (2013). Ky stil fuqizoi trilogjinë e jashtëzakonshme që pasoi: “Skeleton Tree” (2016), e mbushur me ankth; “Ghosteen” (2019), një eksplorim i humbjes, pikëllimit dhe shpëtimit; dhe “Carnage” (2021), i lindur gjatë izolimit të pandemisë.
Në “Joy”, tingujt sintetizues pluskojnë ndërsa Cave luan disa akorde melankolike në piano, i shoqëruar nga një frymor i ulët. Ai këndon për një zë që e përndjek në mes të natës – “një fantazmë me atlete gjigante që qesh, yje rreth kokës… një djalë flakërues”.
Mund të mendohet se bëhet fjalë për djalin e tij të ndjerë, Arthur, vdekja tragjike e të cilit në vitin 2015 ka ndikuar shumë në krijimtarinë e Cave që prej atëherë.
Këtë herë, megjithatë, fantazma sjell një mesazh tjetër: “Të gjithë kemi pasur shumë trishtim, tani është koha për gëzim”.
Në atë çast, atmosfera ndryshon – një kor zërash të ngrohtë shfaqet, instrumentet ngrihen, dhe kënga përfundon me një ndjenjë shprese, ndërsa Cave reflekton për botën e trazuar të vitit 2024: “Në mbarë botën, njerëzit bërtasin fjalët e tyre të zemëruara për fundin e dashurisë… Por, yjet qëndrojnë mbi Tokë, metafora triumfuese të dashurisë”.
“Wild God”, në tërësi, është një manifest i këtij qëndrimi. Këngët përfshijnë errësirën – dhimbjen, vuajtjen dhe vdekjen, por megjithatë shpallin se jeta mund të jetë ende e bukur dhe hyjnore.
Në fund, “Wild God” është një album që shpërndan optimizëm. Ai nuk mohon errësirën, por zgjedh ta tejkalojë atë përmes muzikës, dashurisë dhe bashkimit njerëzor. Pas dëgjimit të tij, do të ndjeheni më mirë.