Rreth 70 mijë euro i kushtoi buxhetit të Kosovës vizita e presidentes Vjosa Osmani në SHBA, e zhvilluar në shtator të këtij viti.
Sipas të dhënave zyrtare që VOX Kosova ka siguruar përmes kërkesës për qasje në dokumente, Osmani në SHBA ishte vetë e 12-ta, së bashku me 11 anëtarë të stafit.
Në sy bie fakti se akomodimi për dy këshilltare të Presidentes ishte dukshëm më i shtrenjtë se për pjesën tjetër të stafit.
Për Donika Kadajn, shteti pagoi 6,416 euro. Për Rejhan Vuniqin, shuma arriti në 8,064 euro. Pra, për të dyjat, vetëm për akomodim u dhanë 14 mijë e 480 euro.
VOX Kosova ka pyetur Presidencën nëse dy këshilltaret kanë udhëtuar disa ditë më herët drejt SHBA-së, por nuk ka marrë përgjigje.
Zyra e Presidentes nuk ka kthyer përgjigje as për vetë shpenzimet, derisa qasja në dokumente u mundësua vetëm pas ndërhyrjes së Agjencisë për Informim dhe Privatësi.
Shpenzimet për akomodim për krejt stafin arritën në 45,271 euro. Për bileta udhëtimi u paguan edhe 22,838 euro, ndërsa 1,447 euro të tjera shkuan për dreka, darka dhe internet.









