Vetëm dy javë para zgjedhjeve të jashtëzakonshme në Kosovë, Qeveria në detyrë me në krye Albin Kurtin ka ndarë sërish nga 100 euro për disa kategori. Këtë shumë, sipas vendimit që mori këtë të premte(22 maj) Qeveria, do ta përfitojnë pensionistët, fëmijët, punëtorët e sektorit privat dhe studentët. Pagesat do të realizohen në fillim të javës tjetër, kur edhe fillon fushata për zgjedhjet e jashtëzakonshme të 7 qershorit.

Një veprim të tillë, në kohë fushate, Qeveria Kurti e kishte ndërmarrë edhe në zgjedhjet e fundit lokale që ishin zhvilluar në Republikën e Kosovës.

Tri ditë para raundit të dytë të zgjedhjeve lokale, më 06 nëntor, Qeveria në detyrë ua kishte alokuar nga 100 euro studentëve të Kosovës, për të cilat ishte marrë vendim nga ekzekutivi më 7 tetor.

Madje, pasi që ishin ndarë paratë, studentëve u kishte shkuar edhe një mesazh në telefonin e tyre nga Zyra e Kryeministrit, i shkruar nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti.