Përpjekje për blerje votash për balotazhin e 9 shkurtit dhe për zgjedhjet parlamentare, e ka konsideruar Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, miratimin e buxhetit për vitin 2026, nga Qeveria në detyrë.

“Thesi i mashtrimeve të një ‘babadimri’ që kurrë s’erdhi për qytetarët e Kosovës, sado që premtoi çdo vit për pesë vjet, s’mundet me e rikthy besimin e humbur të qytetarëve e as nuk mund të arrijë qëllimin e blerjes së votës për balotazh dhe për zgjedhje parlamentare”, shkroi Krasniqi në Facebook.

Të gjitha ato që u propozuan nga qeveria në detyrë në mbledhjen e së premtes, Krasniqi tha se do të bëhen shumë shpejt e më mirë në qeverinë e ardhshme, e cila, siç theksoi ai, do të jetë pa Albin Kurtin.

“Krejt ato që sot u thanë në mbledhjen e fundit të kësaj qeverie, e që s’u bënë pesë vjet me radhë, do të bëhen: më mirë, më shumë e më shpejt, por me qeverinë e ardhshme, pa Albin Kurtin e pa Vetëvendosjen”, shtoi.

Ai deklaroi se “mashtrimi elektoral nuk kalon”. “Uji i turbullt s’pihet dy herë!”, përfundoi ai.