Vendet perëndimore po e shohin Kosovën si një vend ku mund të transferojnë kriminelët për vuajtjen e dënimeve nga të dënuarit e tyre me burg, por edhe si vend ku mund të strehojnë azilkërkuesit e refuzuar nga vendet përkatëse.
Pas marrëveshjes me Danimarkën për transferimin e të burgosurve të huaj, edhe Belgjika ka kërkuar që të bëjë një ujdi të ngjashme me Prishtinën, për t’i transferuar kriminelët e saj në burgjet kosovare.
Përveç këtyre, Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, është shprehur i gatshëm që Kosova të strehojë azilkërkuesit e refuzuar nga Mbretëria e Bashkuar, në mënyrë që në këmbim të marrë mbështetje në sektorin e sigurisë.
Kurti, të martën, teksa po qëndronte në Londër për Samitin e Procesit të Berlinit, ka thënë për prestigjiozen britanike Times se “ne duam ta ndihmojmë Mbretërinë e Bashkuar”.
“E vlerësojmë këtë si detyrën tonë miqësore dhe politike. Kemi kapacitete të kufizuara, por duam të ndihmojmë dhe, ndërkohë që flasim, ka komunikim të rregullt midis ekipeve tona të zyrtarëve shtetërorë nga Ministria jonë e Punëve të Brendshme dhe juristëve për mënyrën se si ta bëjmë këtë proces sa më të qetë dhe të dobishëm për të dyja palët”, shtoi Kurti.
Kurti deklaroi se në këmbim Kosova do të kishte dëshirë “të marrë mbështetje kryesisht në fushën e sigurisë, qoftë përmes marrëveshjeve strategjike, apo përmes pajisjeve dhe projekteve që mund t’i realizojmë”.
“Natyrisht, duam që si vend të përfitojmë, por e konsiderojmë, para së gjithash, detyrë tonën të ju ndihmojmë, sepse ju na keni ndihmuar shumë dhe këtë nuk do ta harrojmë kurrë”, potencoi ai.
Në fillim të tetorit, Ministrja belge e Drejtësisë Annelies Verlinden dhe ajo e Azilit dhe Migracionit Anneleen Van Bossuyt, qëndruan në vizitë zyrtare në Kosovë me qëllim arritjen e një marrëveshje për ndërtim ose marrje me qira të një burgu në njërën nga këto dy vende.
Aktualisht, në burgjet belge gjenden 307 shqiptarë, 253 prej të cilëve nuk kanë leje qëndrimi e për të cilët planifikohet rikthimi në vendin e origjinës, kanë raportuar mediat belge.
Se Belgjika ka shprehur interesim për t’i marrë në shfrytëzim burgjet e Kosovës e kanë konfirmuar edhe nga Shërbimi Korrektues i Kosovës (SHKK).
Në një përgjigje me shkrim për Radio Evropa e Lirë, SHKK tha se, pas marrëveshjes së Kosovës me Danimarkën, “disa shtete të tjera, përfshirë edhe Belgjikën, kanë shprehur në forma të ndryshme interesim për marrjen në shfrytëzim të institucioneve korrektuese të Kosovës”.
Nëse arrihet marrëveshje për transferimin e të burgosurve, kjo do të ishte marrëveshja e dytë e Kosovës me një vend evropian, pasi një të tillë Kosova e kishte bërë edhe me Danimarkën në vitin 2022 për dhënien në shfrytëzim të Burgut të Gjilanit, e cila edhe ishte ratifikuar në Kuvend në maj të vitit 2024.









