Albulena Haxhiu, Kryetare e Kuvendit të Kosovës, më 4 mars e argumentonte situatën emergjente me zgjedhjen e Presidentit të ri të vendit mbi bazën e njëjtë me atë të Presidentes aktuale të Kosovës, Vjosa Osmani.

Haxhiu, ndryshe nga ç’po bën tani Vetëvendosja, thoshte se 5 marsi është afati i fundit për mbylljen e procesit të përcaktimit të Presidentit të ri, pra mbyllja dhe jo fillimi i procesit të votimit.

“Më tutje, duke u bazuar në nenin 86, paragrafi 2, i Kushtetutës së Republikës së Kosovës: zgjedhja e Presidentit të Republikës së Kosovës duhet të bëhet jo më vonë se tridhjetë ditë para përfundimit të mandatit të Presidentit aktual. Afati kushtetues për përmbylljen e këtij procesi është data 5 mars 2026, pra nesër”, deklaronte spikerja e Kuvendit në një konferencë për media në hollin e Kuvendit.

Kjo deklaratë është identike me deklaratën e Osmanit dhënë një ditë pas në konferencën për media gjatë së cilës njoftoi dekretin për shpërndarjen e Kuvendit.

“Neni 86 i Kushtetutës përcakton se Presidenti i ri duhet të zgjidhet jo më vonë se tridhjetë ditë para përfundimit të mandatit të Presidentit aktual. Mandati im përfundon më 4 prill 2026. Kjo do të thotë se 5 marsi ishte afati i fundit kushtetues që Kuvendi të zgjidhte Presidentin e ri”, deklaronte Kryetarja e shtetit më 6 mars.

Që kur Osmani shpërbeu Kuvendin e Kosovës, figura nga partia Vetëvendosje kanë thënë se vendimi është jo-kushtetues, duke thënë se afati i përcaktuar në Nenin 86 të Kushtetutës nuk vlen nëse procedurat e votimit nuk kanë nisur.