Ekipi i Televizionit Dukagjini është sulmuar të enjten gjatë kryerjes së detyrës në Gjilan, teksa po raportonte për punimet që po zhvillohen në qendër të qytetit.

Gazetarja Blerta Zuka dhe kameramani Enkelej Shaljani kishin shkuar në terren për të realizuar një kronikë lidhur me ndërtimin e bulevardit të qytetit, një projekt me vlerë rreth 18 milionë euro, për të cilin ka pretendime se Komuna e Gjilanit ka nisur punimet pa leje ndërtimore.

Sipas reagimit të Televizionit Dukagjini, ekipi është penguar dhe sulmuar nga një punonjës i kompanisë së angazhuar në realizimin e punimeve, derisa po ushtronte detyrën profesionale.

“Ky akt i papranueshëm përbën cenim të drejtpërdrejtë të lirisë së medias dhe të së drejtës së gazetarëve për të raportuar në interes të publikut”, thuhet në reagimin e televizionit.

Televizioni Dukagjini ka dënuar ashpër sulmin ndaj ekipit të tij dhe ka kërkuar nga organet kompetente që ta trajtojnë rastin me seriozitet të plotë, të ndërmarrin veprimet e nevojshme ligjore dhe të sigurojnë që përgjegjësit të mbajnë përgjegjësi për veprimet e tyre.