Kaja Kallas, Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, ka thënë se ciklet e shpeshta zgjedhore në Kosovë janë arsyeja kryesore pse nuk ka pasur prej kohësh raund të ri dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit në nivel liderësh.

Kallas u ka thënë gazetarëve se ka gatishmëri nga Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, si dhe nga Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, për një takim në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, por, sipas saj, shpallja e zgjedhjeve të reja parlamentare në Kosovë e ka shtyrë sërish procesin.

“Ne, në fakt, kishim planifikuar dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës – dialog politik në nivel të lartë. Kishim pëlqimin e të dy liderëve – nga Kosova dhe nga Serbia – por tani po afrohen sërish zgjedhjet në Kosovë, gjë që natyrisht e shtyn procesin”, tha Kallas para fillimit të takimit të Ministrave të Jashtëm të vendeve anëtarë të BE-së me ata të Ballkanit Perëndimor në Bruksel.

Megjithatë, ajo theksoi se “po punoj veç e veç me të dyja palët që të mund të vazhdojmë me zbatimin e marrëveshjeve që tashmë janë në fuqi”.

Liderët e Kosovës dhe Serbisë, përkatësisht Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiç, janë takuar për herë të fundit në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja në shtator të vitit 2023.

Që nga koha kur Kallas e ka marrë detyrën e kryediplomates evropiane, në dhjetor të 2024-së, nuk ka pasur asnjë takim në mes të Kurtit dhe Vuçiç-it.