“Keqardhje të thellë” ka shprehur Bashkimi Evropian për vendimin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), ku refuzoi tërheqjen e dorëheqjeve të gjyqtarëve serbë.

Derisa kanë përmendur edhe vendimin e Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), të cilët po ashtu refuzuan tërheqjen e dorëheqjeve të prokurorëve serbë, BE ka thënë se vendimet “nuk duket se janë në përputhje me ligjet” e Kosovës.

“Këto vendime duket se nuk janë në përputhje me ligjet në Kosovë, me proceset e rregullta dhe me kërkesat e përgjithshme për sundimin e ligjit në Kosovë”, tha një zëdhënës i BE-së, transmeton Radio Evropa e Lirë.

Sipas Unionit, vendimit e KPK-së dhe KGJK-së “bien ndesh edhe me parimet e një gjyqësori multietnik”, duke “dëmtuar besimin e komunitetit serb të Kosovës dhe duke minuar përpjekjet për një rikthim të qëndrueshëm në institucionet e Kosovës”.

BE thekson se sistemi gjyqësor i Kosovës duhet të reflektojë diversitetin etnik.

“BE-ja u bën thirrje të gjithë aktorëve përkatës që të krijojnë kushtet për një gjyqësor multietnik, në përputhje të plotë me ligjin e Kosovës, procesin e rregullt ligjor dhe zotimet e bëra në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja”, shtoi zëdhënësi i bllokut evropian.

Në mbledhjen e të enjtes së 28 gushtit, KGJK-ja refuzoi kthimin në detyrë të gjyqtarëve serbë që ishin dorëhequr në vitin 2022.

KGJK i propozoi Ushtrueses së Detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, që të dekretojë lirimin e tyre nga detyra.

Nëntë anëtarë të KGJK-së votuan kundër kthimit të gjyqtarëve serbë, një ishte pro dhe një abstenim.

Edhe Këshilli Prokurorial i Kosovës kishte refuzuar tërheqjen e dorëheqjes së prokurorëve serbë të cilët ishin larguar me vullnet nga sistemi i drejtësisë në vitin 2022.

Pas vendimit të KPK-së, Ushtruesja e Detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, kishte dekretuar dorëheqjet e tyre.

Në nëntor të 2022-së, rreth 130 gjyqtarë, prokurorë e punonjës administrativ të sistemit të drejtësisë kishin dhënë dorëheqje. Ata iu kishin bashkangjitur dorëheqjeve koletive të serbëve nga institucionet e Kosovës në katër komunat Veriore – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.

Dorëheqjet ishin organizuar nga Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve të Kosovës, e cila dirigjohet nga Serbia – si protestë ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për t’i zëvendësuar targat ilegale serbe me ato të Kosovës.