Nëse Kosova vazhdon me bllokadën institucionale edhe pas zgjedhjeve të 7 qershorit, ashtu siç ndodhi pas zgjedhjeve të shkurtit dhe dhjetorit, rrezikon të humbasë mbështetjen dhe kredibilitetin ndërkombëtar.

Kështu la të kuptohet ambasadori britanik në Prishtinë, Jonathan Hargreaves, në një intervistë për Radio Evropa e Lirë.

“Këto ngërçe rrezikojnë të dobësojnë kredibilitetin dhe progresin e Kosovës në arenën ndërkombëtare. Ato u japin mundësi kundërshtarëve të Kosovës ta paraqesin atë si një vend të dobët dhe jostabil, ndërsa ua bëjnë më të vështirë aleatëve që ta mbrojnë dhe përkrahin”, tha ambasadori britanik.

Ai kritikoi mënyrën se si është menaxhuar puna e Kuvendit në muajt e fundit, duke thënë se nuk i është kushtuar vëmendje të mjaftueshme ndikimit te qytetarët e Kosovës.

“Kuvendi ka qenë plotësisht funksional vetëm për rreth 10 javë gjatë 75 javëve të fundit. Një pjesë e madhe e kësaj kohe është shpenzuar në procedura, e jo në çështje që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve të Kosovës”, tha Hargreaves.