Presidenti amerikan, Donald Trump, ka sulmuar vendimin e Britanisë për t’ia dorëzuar kontrollin e Ishujve Chagos Mauriciusit, duke e quajtur atë një akt “budallallëku i madh”, pa asnjë justifikim.
Presidenti amerikan, i cili më herët e kishte mbështetur marrëveshjen, deklaroi të martën se “nuk ka asnjë dyshim” që Rusia dhe Kina e kanë vënë re këtë “akt dobësie totale”.
Mbretëria e Bashkuar ra dakord që në maj të vitit 2025 t’ia dorëzojë Mauriciusit arkipelagun strategjikisht të rëndësishëm në Oqeanin Indian.
“Në mënyrë tronditëse, aleati ynë ‘i shkëlqyer’ i NATO-s, Mbretëria e Bashkuar, aktualisht po planifikon t’ia japë Ishullin Diego Garcia — vendndodhjen e një baze jetike ushtarake amerikane — Mauriciusit, dhe ta bëjë këtë pa asnjë arsye”, shkroi presidenti amerikan në Truth Social.
“Nuk ka asnjë dyshim që Kina dhe Rusia e kanë vënë re këtë akt dobësie totale. Këto janë fuqi ndërkombëtare që njohin vetëm forcën”, pretendoi Trump, duke shtuar se dhënia nga Britania e një territori jashtëzakonisht të rëndësishëm është “një akt budallallëku i madhe”.
Presidenti tha se vendimi i Britanisë për Chagos justifikon dëshirën e tij për të marrë Grenlandën, një veprim që aleatët e NATO-s, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, e kanë kundërshtuar ashpër.
Marrëveshja do t’ia kalojë sovranitetin e ishujve Mauriciusit, qeveria e të cilit prej kohësh ka pretenduar se u detyrua t’i hiqte dorë ishujve për të fituar pavarësinë nga Britania në vitin 1968.
Megjithatë, baza ushtarake e Diego Garcias do të mbetet nën kontrollin e Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara për 99 vitet e ardhshme.
Trump i kishte thënë kryeministrit Keir Starmer shkurtin e kaluar se Uashingtoni “do të ishte i prirur të pajtohej” me Britaninë, ndërsa Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, e kishte “përshëndetur marrëveshjen historike” kur ajo u nënshkrua në maj 2025.
Sekretari kryesor i kryeministrit, Darren Jones, tha të martën se Britania “nuk mund ta kthejë kohën pas”. Traktati është “nënshkruar” me qeverinë e Mauriciusit, deklaroi ai për Times Radio.
Një zëdhënës i qeverisë britanike tha se marrëveshja me Mauriciusin siguron funksionimin e bazës së përbashkët SHBA–Mbretëri e Bashkuar në Diego Garcia për breza të tërë, me “dispozita të forta për ruajtjen e kapaciteteve të saj unike dhe për mbajtjen e kundërshtarëve tanë jashtë”.
“Kjo marrëveshje është përshëndetur publikisht nga SHBA-ja, Australia dhe të gjithë aleatët e Five Eyes (Australia, Kanadaja, Zelanda e Re, Mbretëria e Bashkuar dhe SHBA), si dhe nga partnerë kyç ndërkombëtarë, përfshirë Indinë, Japoninë dhe Korenë e Jugut,” shtoi zëdhënësi.
Projektligji për Bazën Ushtarake të Diego Garcias dhe Territorin Britanik të Oqeanit Indian, i cili zbaton dispozitat e traktatit në ligjin britanik, rikthehet të martën pasdite në Dhomën e Komunave për fazat përfundimtare të shqyrtimit legjislativ.









