Një shtyrje tjetër e shpalljes së aktgjykimit për krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është e mundur ligjërisht.
Sipas Rregullores së Procedurës në Speciale, afatet e shpalljes së vendimit janë të ndara në disa faza.
Mundësia e parë është 90 ditë pas mbylljes së seancave dëgjimore dhe fjalëve përfundimtare.
Në rastin e krerëve të UÇK-së, aktgjykimi do të duhej të shpallej më 19 maj.
Dhe në rregullore thuhet se paneli mund të kërkojë afat shtesë prej 60 ditësh.
Paneli në procesin e krerëve të UÇK-së e bëri këtë. Kërkoi kohë shtesë deri më 20 korrik.
Megjithatë, kjo nuk është mundësia e fundit për zvarritje.
Në Rregulloren e Procedurës, në pikën 159, lejohet një shtyrje edhe përtej këtij afati shtesë prej 60 ditësh, pra përtej 20 korrikut 2026, shkruan VOX Kosova.
Aty madje nuk përcaktohet afati se sa mund të zgjasë shtyrja tjetër, duke e lënë mundësinë shumë të hapur, varësisht nga vlerësimi dhe arsyetimi i gjyqtarëve.
“Vendimi i Gjykimit do të shpallet brenda nëntëdhjetë (90) ditëve nga përfundimi i çështjes në përputhje me Rregullën 136 dhe mund të përfshijë një vendim sipas Nenit 22(7) të Ligjit. Kur rrethanat e çështjes kërkojnë kohë shtesë, ajo nuk duhet të tejkalojë gjashtëdhjetë (60) ditë, përveç rasteve kur një zgjatje e mëtejshme është absolutisht e nevojshme. Vendimi për zgjatjen do të jetë publik dhe do t’u njoftohet Palëve dhe Përfaqësuesit të Viktimave. Arsyet për zgjatjen duhet të jepen”, thuhet në rregullore.
Këtë e kishin konfirmuar më parë edhe zyrtarë të Speciales.
Zëdhënësja e Gjykatës Speciale, Angela Griep, ka bërë me dije se “gjyqtarët do të nxjerrin një urdhër përkatës” nëse shtyrja e sërishme është e nevojshme.
“Dua ta bëj të qartë se 20 korriku nuk është data e shpalljes së vetë aktgjykimit, por vetëm data e afatit të zgjatur deri kur duhet të nxirret aktgjykimi i trupit gjykues. Paneli theksoi se, nëse një shtyrje tjetër do të jetë absolutisht e nevojshme, ai do të nxjerrë një urdhër përkatës për këtë çështje në kohën e duhur”, tha zëdhënësja Griep në muajin maj.
Nëse ndodh shtyrja e radhës, vendimi në asnjë mënyrë nuk do të jepej deri më 14 gusht, pasi nga 27 korriku deri më atë datë Gjykata është në pushim të plotë.
Por, sa kohë u është dashur gjyqtarëve në Speciale në rastet e tjera të gjykuara për krime lufte: Salih Mustafës dhe Pjetër Shalës?
Për rastin e Mustafës, panelit i ishin dashur tre muaj për verdikt. Gjykimi u mbyll me fjalët përfundimtare më 15 shtator 2022.
Paneli njoftoi më 6 dhjetor 2022 se verdiktin do ta jepte më 22 dhjetor 2022.
Pra, tre muaj pas mbylljes së gjykimit.
Edhe në rastin e Pjetër Shalës u shfrytëzuan tre muaj për nxjerrjen e aktgjykimit.
Procesi përfundoi më 16 prill 2024 dhe verdikti u dha më 16 korrik 2024. Paneli kishte njoftuar më 9 korrik për datën e shpalljes së aktgjykimit.
Bazuar në këtë praktikë, kur paneli njofton të paktën një javë para datës së parë të mundshme për aktgjykim, i bie që në rastin e krerëve të UÇK-së, gjyqtarët do të duhej të njoftonin javën e ardhshme nëse do të kërkonin kohë shtesë pas korrikut.
Çfarë i dallon rastet që mund të çojnë në shtyrje të vendimit në rastin e Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit?
Lënda ndaj krerëve të UÇK-së është një nga rastet më voluminoze, me qindra mijëra faqe dhe qindra dëshmitarë – një proces që zgjati tri vjet vetëm me dëgjimin e dëshmive në sallë dhe dy vjet e gjysmë vetëm në procedurën paraprake.
Në rastin e tyre, akuza është për krejt UÇK-në, që nga themelimi deri te demilitarizimi, dhe për krejt territorin e Kosovës: për politikat, strukturën, logjistikën dhe gjithçka tjetër.
Për Mustafën dhe Shalën, lëndët përfshinin lokacione dhe raste specifike. /VoxKosova









