A ka gjasa që aktgjykimi për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin të jepet në korrik 2026?
Data 19 maj 2026 është afati i fundit kur gjyqtarët në rastin e krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do të duhej të shpallnin aktgjykimin.
Bazuar në rregullat e Gjykatës Speciale, kjo do të thoshte përmbushje e afatit 90 -ditor.
Por, në legjislacionin e funksionimit të saj, nëse gjyqtarët kanë nevojë për kohë shtesë, mund ta shtyjnë dhënien edhe vendimit edhe për 60 ditë të tjera, shkruan VOX Kosova.
Madje, në Rregulloren e Procedurave, në pikën 159, lejohet një shtyrje edhe përtej këtij 60 ditëshit tjetër.
“Vendimi i Gjykimit do të shpallet brenda nëntëdhjetë (90) ditëve nga përfundimi i çështjes në përputhje me Rregullën 136 dhe mund të përfshijë një vendim sipas Nenit 22(7) të Ligjit. Kur rrethanat e çështjes kërkojnë kohë shtesë, ajo nuk duhet të tejkalojë gjashtëdhjetë (60) ditë, përveç rasteve kur një zgjatje e mëtejshme është absolutisht e nevojshme. Vendimi për zgjatjen do të jetë publik dhe do t’u njoftohet Palëve dhe Përfaqësuesit të Viktimave. Arsyet për zgjatjen duhet të jepen”, thuhet në rregullore.
Kjo do të thoshte se nëse këto 60 ditë shfrytëzohen të plota, i bie që verdikti të jepet në muajin korrik. E nëse shkohet përtej 60 ditëve shtesë, ashtu siç e lejon Rregullorja, vendimi mund edhe të jetë më vonë edhe se korriku.
Por, sa kohë është dashur gjyqtarëve në Speciale në raste të tjera të gjykuara për krime lufte: Salih Mustafës dhe Pjetër Shalës?
Për rastin e Mustafës, paneli kishte marrë 3 muaj kohë për verdikt. Gjykimi u mbyll me fjalët përfundimtare më 15 shtator 2022.
Paneli njoftoi më 6 dhjetor 2022 se verdiktin do ta jepte më 22 dhjetor 2022.
Pra, tre muaj pas mbylljes së gjykimit.
Edhe në rastin e Pjetër Shalës u shfrytëzuan 3 muaj për nxjerrjen e aktgjykimit.
Procesi përfundoi më 16 prill 2024 dhe verdikti u dha më 16 korrik 2024. Paneli kishte njoftuar më 9 korrik për datën e shpalljes së aktgjykimit.
Bazuar në këtë praktikë, kur paneli njofton më së paku një javë para datës së parë të mundshme për aktgjykim, i bie që në rastin e krerëve të UÇK-së, gjyqtarët do të duhej të njoftonin javën e ardhshme nëse ata do të kërkojnë kohë shtesë deri në korrik apo do ta shpallin verdiktin më 19 maj, sipas afatit 90-ditor.
Por, çka dallojnë rastet që mund të çojnë në shtyrje të vendimit në rastin e Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit?
Lënda ndaj krerëve të UÇK-së është një nga rastet më voluminoze, me qindra mijëra faqe, me qindra dëshmitarë – nga një proces që zgjati 3 vjet vetëm dëgjim dëshmish në sallë dhe 2 vjet e gjysmë vetëm proces paraprak.
Në rastin e tyre, akuza është për krejt UÇK-në, që nga themelimi e deri në demilitarizim, dhe për krejt territorin e Kosovës: për politikat, strukturën, logjistikën dhe gjithçka tjetër.
Për Mustafën dhe Shalën, lënda përfshinte lokacione dhe raste specifike.
Sipas kësaj, duket e pamundur që njëjtë si për rastin e Mustafës dhe Shalës, vendimi të merret për 90 ditë.









