Në emsionon VOX DATA, gazetari Lirim Mehmetaj dhe publicisti Blerim Shala, kanë diskutuar për faktin se si të rinjtë e Kosovës po e mbrojnë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe lidhjen e fortë që këta të rinj e kanë me UÇK-në.

E gjithë kjo lidhje mes rinisë dhe UÇK-së u shpërfaq pasi që Gjykata Speciale dënoi ish-krerët e UÇK-së me 81 vjet burgim gjithsej.

Sipas Shalës, shpjegimi më i saktë është për shkak se “lufta akoma është e pranishme ndër ne”. “Ne kemi dalë nga lufta mendojmë ’99, po lufta s’ka dalë prej nesh. Këtë mund ta shpjegoj edhe njëfarë ligji që unë e quaj ligji i gravitetit të luftës”, deklaroi Shala.

“Pse?”, pyet ai, për t’u përgjigjur se “kur është bë Marrëveshja e Kumanovës me 9 qershor të 1999, ajo nuk ka qenë marrëveshje paqësore, po ka qenë marrëveshje e armëpushimit realisht”.

“Ne jemi në armëpushim me Serbinë. S’kemi marrëveshje paqësore. Marrëveshja paqësore është supozu të vijojë në Procesin e Vjenës kur është negociu Statusi i Kosovës. Sepse, dy shtete që e njohin njëra tjetrën jetojnë në paqe. Pastaj, dialogu si i tillë ka prodhu vetëm tensione”, shtoi.

“Edhe në një mënyrë apo tjetrën iu kemi kthy gjithmonë luftës. Po a mbani mend çka keni ba këtu, e si jeni sjellë këtu. Më në fund e kemi edhe aktgjykimin e Hagës që na kthen në luftë…”.

Shala thekson se si shqiptarët u “detyruam dashtë e padashtë me u marrë me krejt atë periudhën e luftës ’98-’99, e cila për brezin tonë është e patejkalueshëm”.