Të paktën rreth 12 miliardë dollarë Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë shpenzuar për Kosovën nga marsi i vitit 1999.
Por, në një moment kur SHBA-të i kërkojnë Kosovës të përfshihet në projektin strategjik të tyre me gazin e lëngshëm, që më shumë se gjithçka tjetër është inertes madhor i Kosovës, Qeveria e Kurtit i thotë jo.
Sipas një raporti të titulluar “Ndarja e barrës në NATO dhe Kosova”, përgatitur në janar të vitit 2000 nga Shërbimi Kërkimor i Kongresit Amerikan, agjenci e pavarur që përpilon analiza dhe hulumtime për ligjvënësit amerikanë, rreth 5 miliardë dollarë SHBA-të kanë shpenzuar gjatë vitit 1999 për fushatën ajrore të bombardimeve kundër caqeve serbe, mbështetjen për refugjatët dhe ndërhyrjen tokësore në kuadër të KFOR-it.
Për 78 ditë të fushatës bombarduese, forcat ajrore të NATO-s kishin kryer më shumë se 37 mijë fluturime, prej të cilave rreth 23 mijë u realizuan nga avionët amerikanë.
53% e sulmeve u kryen nga pilotët amerikanë, dhe rreth 80% e fluturimeve vëzhguese u realizuan po nga avionët amerikanë.
Rreth 1 miliard dollarë të tjera, SHBA-të i ndanë gjatë vitit 1999 për mbështetje humanitare për refugjatët nga Kosova në Shqipëri e Maqedoni, dhe për mijëra të tjerë që u pranuan në Amerikë.
Në total, nga raportet për Kongresin amerikan, nga bombardimet e deri në vitin 2003 në angazhimin ushtarak në KFOR, rreth 8.6 miliardë dollarë u shpenzuan për Kosovën nga SHBA-të.
Nga viti 1999 e deri tash, rreth 2 miliardë dollarë të tjera, sipas ish-ambasadorit amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, SHBA-të dhanë për Kosovën në rimëkëmbjen e arsimit, ekonomisë, për shoqërinë civile, drejtësinë, mediat, sigurinë dhe energjinë.
“Mendoj se është e rëndësishme ta them se, që nga viti 1999, Shtetet e Bashkuara kanë investuar mbi 2 miliardë dollarë në Kosovë”, Jeffrey Hovenier – ish -ambasadori i SHBA-ve në Kosovë.
Por Amerika nuk ishte veç buxhet për Kosovën.
SHBA-ja ishte shtylla diplomatike e Kosovës në Rambuje.
Ishte skenariste dhe drejtuese e shpalljes së pavarësisë.
“Mjaft është mjaft. Kosova duhet të jetë e pavarur” – George Bush, Tiranë, 10 qershor 2007.
Udhëhoqi fushatën e njohjeve dhe anëtarësimeve ndërkombëtare.
Theu bllokadat ruse e serbe kundër Kosovës.
I dha dritën e gjelbër transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri dhe e mbështeti atë në trajnime e armatim.
Dhe çfarë po bën Kosova në një moment të rëndësishëm strategjik për SHBA-të?
Kur ajo po dëshiron të largojë ndikimin rus nga Evropa e Ballkani, Qeveria e Albin Kurtit ka zgjedhur t’ia kthejë shpinën.
Shtetit që Kosovës ia mban ende diplomacinë dhe ia siguron kufijtë, Qeveria e Kurtit ka vendosur t’i shesë mend e muskuj, që as nuk i ka.
Në vend të ruajtjes se aleancës së fortë, respektit ndaj mikut, investimeve në projekte të sigurta për të ardhmen, Qeveria e Kurtit strategjike e sheh kolapsin energjetik, dhe përmes tij tregtimin me kompani serbe duke harxhuar rreth 1 miliardë euro import.
Për 27 vjet, SHBA-të rrotulluan çdo gjë për Kosovën.
Kur Kosovës i kërkohet diçka që i shërben vetë stabilitetit dhe të ardhmes së saj, ka vendosur ta rrotullojë krejt mbështetjen amerikane, historinë dhe sakrificën për liri e shtet, duke ia kthyer shpinën mikut më të mirë që jo veç Kosova, por të gjithë shqiptarët kanë pasur historikisht.








