BBC-ja ((Korporata Britanike e Transmetimeve) konfirmon mbylljen e BBC Three, BBC Scotland dhe shërbimit linear BBC Radio 4 Extra në pranverën e vitit 2027.
Vendimi vjen në kuadër të përpjekjeve të korporatës për të kursyer 500 milionë funta deri në vitin 2028.
Përveç kësaj, BBC News do të shkurtojë pak më shumë se 100 vende pune, me një vlerë të përgjithshme prej rreth 5.5 milionë funtash, u është bërë e ditur punonjësve të korporatës.
Si rezultat i mbylljes së këtyre shërbimeve transmetuese, do të shkurtohen edhe një numër vendesh të tjera pune, përfshirë dhjetë në Skoci, shkruan SkyNews.
Në një deklaratë, BBC-ja tha: “Ndryshimet e sotme iu njoftuan stafit këtë mëngjes. Kjo do të thotë se BBC Scotland do të vazhdojë të jetë kanal në platformën iPlayer. Përmbajtjet do të jenë gjithashtu të disponueshme në BBC One dhe BBC Two në Skoci. Programet e porositura nga BBC Three, të mbështetura nga rritja e investimeve në përmbajtje për audiencat e reja, do të jenë të disponueshme në BBC iPlayer dhe në platforma të tjera, përfshirë YouTube. Programet e Radio 4 Extra do të jenë të disponueshme në BBC Sounds, ndërsa emisioni The Daily Service do të transmetohet në BBC Sounds dhe në radiot lokale”.
Në një shënim drejtuar stafit, ku shpjegonte ndryshimet, drejtori i përgjithshëm i BBC-së, Matt Brittin, tha:
“Duhet të sigurohemi që çdo paund të përdoret sa më mirë për audiencën, ndërsa përballemi me presionet e menjëhershme të kostove dhe e përshtatim BBC-në me një botë në ndryshim. Të gjithë e dimë se kjo kërkon vendime të vështira”.
Nuk është hera e parë që BBC Three largohet nga televizioni tradicional. Kanali u rikthye si kanal i mirëfilltë televiziv në janar të vitit 2022, gjashtë vjet pasi ishte zhvendosur në internet.
Që nga rikthimi, kanali ka qenë përgjegjës për disa prodhime shumë të suksesshme, përfshirë Fleabag, Normal People dhe Killing Eve.









