Magazina prestigjioze, Time, ka shpallur “Person të Vitit” arkitektët e inteligjencës artificiale, duke arsyetuar vendimin mbi aftësinë e këtyre personave për të sjellë në botë epokën e makinave që mendojnë me teknologji transformuese.
“Personi i Vitit është një mënyrë e fuqishme për të fokusuar vëmendjen botërore në njerëzit që formësojnë jetët tona. Dhe këtë vit, askush nuk ka pasur ndikim më të madh se individët që imagjinuan, dizajnuan dhe krijuan IA”, shkroi kryeredaktori i Time, Sam Jacobs, në një letër drejt lexuesve të magazinës.
Jacobs i përshkruajti arkitektët e IA si persona që po e “shqetësojnë dhe mahnitin njerëzimin” dhe që po e “transformojnë të tashmen e po e kapërcejnë të mundurën”.
“Personi i Vitit” për 2025 përfshin edhe një storie se si IA ka ndryshuar botën përgjatë vitit në një mënyrë të re “nganjëherë të frikshme”. Po ashtu përfshin intervista me drejtorin ekzekutiv të Nvidia, Jensen Huang, çipat e të cilit po e fuqizojnë shpërthimin e IA, si dhe intervista të tjera me investues të IA si ajo me drejtorin e SoftBank, Masayoshi Son.
Artikulli eksploron aspekte shqetësuese të IA, siç është vdekja e një djali 16-vjeçar nga Kalifornia, i cili bëri vetëvrasje për shkak të bisedave që ai pati me chatbot-in, sipas pretendimeve të familjes në padinë e familjes kundrejt kompanisë krijuese të ChatGPT, OpenAI.
Në vitin 2024, Time e shpalli person të vitit asokohe presidentin e sapovotuar të SHBA-së, Donald Trump, siç kishte vendosur edhe herën e parë në vitin 2016. Lista e fituesve të kaluar përfshin artisten e kulturës pop,Taylor Swift, presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, e drejtorin ekzekutiv të Tesla, Elon Musk.









