Në momentin kur Presidenti Donald Trump lëshoi një seri postimesh në rrjetet sociale duke kritikuar Gjermaninë javën e kaluar, përfshirë një kërcënim për të tërhequr disa trupa amerikane nga vendi, udhëheqësit gjermanë nuk treguan asnjë shenjë publike se besonin që presidenti ishte serioz.
Kjo tani duket se ka qenë një keq llogaritje – një nga disa që udhëheqësit gjermanë kanë bërë gjatë luftës së zotit Trump kundër Iranit – por me shumë gjasë jo një katastrofë për sigurinë gjermane.
Zyrtarë të Pentagonit thanë të premten se planifikonin të zhvendosnin 5,000 trupa nga Gjermania në Shtetet e Bashkuara dhe në mbarë botën brenda vitit të ardhshëm.
Zyrtarë në Shtetet e Bashkuara dhe Gjermani sugjeruan se vendimi kishte qenë në përgatitje në nivel politik për muaj të tërë, si pjesë e një rishikimi më të gjerë të Pentagonit për nivelet e trupave të tij në mbarë botën, por njoftimi ishte përshpejtuar ndjeshëm për të qetësuar një president të zemëruar nga kritikat gjermane ndaj strategjisë amerikane në Iran.
Boris Pistorius, ministri gjerman i mbrojtjes, e quajti lëvizjen “të parashikueshme” në një deklaratë të së shtunës në mëngjes.
“Prania e trupave amerikane në Evropë, dhe veçanërisht në Gjermani, është në interesin tonë dhe në interesin e Shteteve të Bashkuara”, tha zoti Pistorius.
Ai gjithashtu tha se evropianët duhet të vazhdojnë të marrin më shumë përgjegjësi për sigurinë e tyre.
Megjithatë, të shtunën në mbrëmje, zoti Trump dukej se e thelloi edhe më shumë hapin prapa nga Evropa.
I pyetur nga gazetarët për tërheqjen e trupave nga Gjermania, ai tha: “Ne do të shkurtojmë shumë, dhe do të shkurtojmë shumë më tepër se 5,000”.
Zoti Trump ka sulmuar Gjermaninë dhe vendet e tjera evropiane për mos ndihmën e mjaftueshme në luftën kundër Iranit, siç ka kërkuar ai. Dhe presidenti është acaruar nga kritikat për mënyrën se si e ka menaxhuar luftën dhe sugjerimet se përpjekja amerikane nuk kishte pasur sukses.
Të hënën, kancelari Friedrich Merz i Gjermanisë u tha nxënësve të shkollave të mesme gjermane se Shtetet e Bashkuara nuk kishin “asnjë strategji” për t’i dhënë fund luftës dhe se negociatorët iranianë kishin “poshtëruar” të gjithë kombin amerikan.
Pentagoni po përgatitet të tërheqë një brigadë luftarake që ishte vendosur në Gjermani pas pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia në vitin 2022 dhe që nuk ishte garantuar kurrë të qëndronte aty.
Ai gjithashtu nuk do të vazhdojë më planin e administratës së Bidenit për të vendosur një batalion raketash me rreze të mesme në Gjermani. Rezultati neto, nëse këto plane ndiqen, do të jetë një kthim në nivelin e trupave amerikane të vendosura në Gjermani para se të fillonte lufta në Ukrainë.
Në Uashington të shtunën, vendimi për të hequr trupat shkaktoi kundërshtim të pazakontë nga udhëheqësit republikanë në Kongres.
Senatori Roger Wicker i Misisipit dhe përfaqësuesi Mike Rogers i Alabamës, drejtuesit e Komiteteve të Shërbimeve të Armatosura në dhomat përkatëse, lëshuan një deklaratë duke thënë se ishin “shumë të shqetësuar nga vendimi për të tërhequr një brigadë amerikane nga Gjermania”.
Ata mbrojtën Gjermaninë, duke pohuar se ajo kishte rritur investimet e saj ushtarake “në përgjigje të thirrjes së Presidentit Trump për ndarje më të madhe të barrës”, dhe thanë se “ulja e parakohshme e pranisë së avancuar të Amerikës në Evropë” do të dërgonte sinjalin e gabuar tek presidenti Vladimir Putin i Rusisë.
Zyrtarët gjermanë në mënyrë private e bënë të qartë se tërheqjet e propozuara mund të kishin qenë dukshëm më të këqija, nga këndvështrimi i tyre, dhe se përgjigjja e tyre ndaj njoftimit do të ishte e matur.
Zoti Trump, i njohur për paqëndrueshmërinë e tij, mund ta ndryshojë gjithmonë mendimin, shkruan New York Times.
Para njoftimit të së premtes, Pentagoni nuk i kishte paralajmëruar udhëheqësit gjermanë se një njoftim për trupat ishte i afërt. Pikëpamja e përgjithshme në politikën gjermane dukej se ishte se zoti Trump me shumë gjasë po bënte blof. Ai kishte provuar, dhe kishte dështuar, të tërhiqte disa nga rreth 35,000 trupat amerikane nga Gjermania në fund të mandatit të tij të parë. Ai do të kishte nevojë për miratimin e Kongresit për të lëvizur trupat nga Evropa tani.
Në mars, kur zoti Merz vizitoi zotin Trump në Uashington, kancelari u tha gazetarëve në një konferencë për shtyp në gjuhën gjermane se presidenti “më ka siguruar jo vetëm sot, por edhe një herë tjetër, se Shtetet e Bashkuara do të ruajnë praninë e tyre ushtarake në Gjermani”.
Udhëheqësit gjermanë ishin gjithashtu të bindur se administrata Trump kishte nevojë për atë prani ushtarake në Gjermani.
Ndryshe nga disa aleatë të tjerë evropianë, Gjermania i kishte lejuar Amerikës të ndihmonte në nisjen e sulmeve ndaj Iranit nga bazat brenda kufijve të saj. Ajo ka vazhduar gjithashtu të lejojë që amerikanët e plagosur të trajtohen në një spital të madh amerikan në tokë gjermane që për dekada ka pritur amerikanë të plagosur në luftëra, përfshirë në Afganistan dhe Irak.
Qetësia e heshtur e Gjermanisë për mundësinë e një tërheqjeje të trupave u reflektua përsëri këtë javë.
Zoti Merz nuk ka ofruar asnjë kërkim falje publike apo tërheqje nga komentet e tij që dukeshin të bëra spontanisht në shkollë.
Të enjten, zoti Merz, i cili kishte investuar shumë në ndërtimin e një marrëdhënieje me zotin Trump gjatë vitit të kaluar, u tha ushtarëve gjermanë në qytetin e Mynsterit se “ne mbajmë kontakte të ngushta dhe të besueshme me partnerët tanë, përfshirë dhe veçanërisht në Uashington”.
Ai theksoi se marrëdhënia me Uashingtonin ishte një marrëdhënie respekti të ndërsjellë dhe ndarje të drejtë të barrave të sigurisë.
“Ky partneritet transatlantik është veçanërisht i rëndësishëm për ne, dhe për mua personalisht”, tha ai.

Zëvendës kancelari i zotit Merz, Lars Klingbeil, i rriti më tej tensionet të premten.
Në një fjalim për Ditën e Punës, zoti Klingbeil e mbrojti zotin Merz nga sulmet e presidentit.
“Ne me të vërtetë nuk kemi nevojë për asnjë këshillë nga Donald Trump tani”, tha ai.
“Ai duhet të shohë çfarë rrëmuje ka bërë me luftën”, shtoi ai.
Zoti Klingbeil drejton Social Demokratët e qendrës së majtë, partneri më i vogël në një koalicion qeverisës të udhëhequr nga Kristian Demokratët e qendrës së djathtë të zotit Merz.
Ai ka qenë më kritik ndaj zotit Trump në të kaluarën sesa zoti Merz.
Ai kishte udhëtuar gjithashtu me zotin Merz në Mynster dhe ka qenë në konsultim të ngushtë me të për një sërë çështjesh të brendshme kohët e fundit.
Zoti Trump ka habitur vazhdimisht udhëheqësit gjermanë me sjelljen e tij në luftë.
Pasi zoti Merz u takua me presidentin në mars, disa zyrtarë dolën me bindjen se konflikti nuk do të zgjaste shumë, sepse zoti Trump tashmë po shprehte shqetësime për efektet ekonomike të rritjes së çmimeve të energjisë të lidhura me luftën.
Në vend të kësaj, zoti Trump vazhdoi me sulmet edhe pasi çmimet e benzinës dhe gazit natyror u rritën ndjeshëm nga mbyllja e Ngushticës së Hormuzit nga Irani.
Zyrtarët gjermanë besonin gjithashtu se kishin gjetur një lloj kompromisi me presidentin për kërkesat e tij që Evropa të dërgonte mjete ushtarake për të siguruar ngushticën dhe për ta bërë atë përsëri të sigurt për transportin detar.
Zoti Merz tha vazhdimisht se Gjermania do t’i bashkohej një përpjekjeje të tillë sigurie, përfshirë duke dërguar anije për pastrimin e minave, por vetëm me dy kushte: gjermanët donin një armëpushim të përhershëm, në vend të atij të përkohshëm që është aktualisht në fuqi. Dhe për të qenë në përputhje me Kushtetutën gjermane, ata donin që përpjekja të kishte bekimin e një organi ndërkombëtar, si Kombet e Bashkuara ose Bashkimi Evropian.

Kjo duket se nuk ka qenë e mjaftueshme për zotin Trump. Të premten, një zyrtar i Pentagonit nuk përmendi vetëm komentet e zotit Merz si arsye për të tërhequr trupat. Zyrtari përmendi gjithashtu dështimin e Gjermanisë për të kontribuar në vetë përpjekjen e luftës kundër Iranit.









