Udhëheqësi i Departamentit për Krime të Luftës në Prokurorinë Speciale, Ilir Morina, ka vlerësuar se korniza ligjore aktuale në Kosovë nuk është e mjaftueshme për trajtimin dhe hetimin e rasteve të krimeve të luftës.

Në panelin e organizuar nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë, Morina tha se institucionet po detyrohen të hetojnë krimet e luftës mbi baza ligjore që sipas tij janë hartuar kryesisht për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar.

“Korniza ligjore aktuale nuk është e mjaftueshme. Ne po hetojmë krime të luftës mbi një kornizë ligjore e cila është e përshtatshme për korrupsion dhe krim të organizuar. Mbi bazën e asaj që është e aplikueshme këtu, ne po punojmë për rastet e krimeve të luftës”, tha Morina.

Ai theksoi se për trajtimin e rasteve të tilla në të kaluarën janë krijuar mekanizma dhe korniza të veçanta ligjore, duke përmendur Tribunalin Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë dhe Dhomat e Specializuara.

“Kur ju e dini që, si në rastin e ISTI-t ose ish-Gjykatës Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, ashtu edhe në rastin e Dhomave të Specializuara, janë nxjerrë korniza ligjore të posaçme, të cilat u kanë ndihmuar shumë atyre”, deklaroi ai.