Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se Bordi i Paqes i Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, mund të punojë dorë për dore me Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB).

Këto komente, Osmani i ka bërë në një intervistë për BBC, pasi që u pyet nëse ky mekanizëm po synon që ta zëvendësojë OKB-në.

E pyetur se pse Kosova vendosi që t’i bashkohej këtij Bordi – gjë për të cilën nënshkroi vetë Presidentja për krah Presidentit Trump në Davos të Zvicrës – ajo tha se ka shumë arsye.

“Ka shumë arsye, por më lejoni të kthehem pak në kohë, 26 vjet më parë. Kosova ishte një vend i shkatërruar nga lufta, po kryhej gjenocid ndaj popullit të Kosovës dhe nën udhëheqjen e SHBA-së, dhe natyrisht me mbështetjen e Mbretërisë së Bashkuar dhe shumë vendeve demokratike në mbarë botën, jetët tona u shpëtuan, na u dha një shans për paqe, na u dha një shans për të jetuar të lirë dhe sot jemi sovranë, jemi demokratikë, jemi të pavarur dhe, më e rëndësishmja, fëmijët tanë janë brezi i parë në historinë e ekzistencës së shtetit tonë që nuk e kanë njohur luftën dhe që po e gëzojnë paqen. Ne e dimë se si arrihet paqja dhe ajo arrihet përmes veprimit”, tha Osmani.

Duke kujtuar kohën e luftës, ajo tha se ishte “duke u rritur mes granatimeve dhe, si gjithë të tjerët e brezit tim, jeta jonë ishte në rrezik”.

“Por çfarë dëgjonim atëherë ishin rezoluta të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së; ishin letra, ishin fjalë, por pa asnjë veprim, derisa SHBA-ja ndërhyri dhe mobilizoi botën për të ardhur në ndihmën tonë”, theksoi.

Pra, arsyeja e parë se pse Kosova i është bashkuar këtij Bordi, Presidentja theksoi se është ky dallim mes ndërtimit të paqes dhe ruajtjes së paqes.

“Na duhet një organizatë e fuqishme ndërkombëtare që angazhohet në ndërtimin e paqes, në arritjen e paqes, dhe pastaj, natyrisht, OKB-ja do të angazhohej në ruajtjen e paqes, gjë që e bën më së miri dhe e ka bërë këtë përmes mbështetjes së shumë vendeve këtu në Kosovë për 10 vjet”, shtoi ajo.

Derisa po fliste për këtë çështje, gazetari i ndërhyri dhe i përmendi kritikat që po bëhen nga disa vende se ky Bord synon që ta zëvendësojë OKB-në, por u kundërshtua nga Osmani.

“Jo, jo, përkundrazi. Siç thashë, këto organizata mund të punojnë dorë për dore: njëra të angazhohet në ndërtimin dhe arritjen e paqes, paqja si vlerë, por edhe paqja si domosdoshmëri për ata që vuajnë më së shumti dhe për një vend që ka vuajtur nga mungesa e paqes, kjo është thelbësore”, potencoi ajo.

“Së dyti, thatë se po dëgjoni një ton kritik. Natyrisht, për të gjithë ne që kemi kaluar nëpër luftë, kemi parë se si fakti që vende si Rusia dhe Kina e kanë përdorur për një kohë të gjatë të drejtën e vetos ka bërë që të mos ketë vendimmarrje në Kombet e Bashkuara. Njerëzit vazhdonin të humbnin jetën, kishte shkatërrim, kishte vuajtje dhe asgjë nuk po ndodhte”.

Kur bëhet fjalë për arsyet e bashkimit, e para e vendit theksoi se “natyrisht çdo shtet i shikon edhe interesat e veta të sigurisë kombëtare”.

“Për ne, rreshtimi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës historikisht ka qenë vendimi i duhur, por po ashtu është e rëndësishme për Republikën e Kosovës të jetë pjesë e një organizate ndërkombëtare, sepse kjo në mënyrë indirekte nënkupton edhe forcimin e sovranitetit tonë dhe të pozitës sonë ndërkombëtare”.

Ajo shtoi se vendi që ajo drejton, beson në udhëheqjen e SHBA-së. “Dhe besojmë se qëllimi është t’u ndihmohet vendeve të tjera të arrijnë paqen që e meritojnë, ashtu siç u ndihmuam ne shumë vite më parë”.