Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se marrëveshjen për pjesëmarrjen e Kosovës në Bordin e Paqes do ta dërgojë në Kuvendin e Kosovës për ratifikim, në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.
Osmani theksoi se anëtarësimi në organizata ndërkombëtare të paqes e që udhëhiqen nga aleati strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, forcon sovranitetin dhe pozitën ndërkombëtare të vendit që ajo udhëheqë.
“Anëtarësimi në organizata ndërkombëtare të paqes e që udhëhiqen nga aleati ynë strategjik, fuqizon sovranitetin tonë, pozicionin tonë ndërkombëtar, si dhe është në interesin më të lartë të Republikës së Kosovës. Prandaj, kjo marrëveshje historike do t’i dërgohet Kuvendit të Kosovës për ratifikim, në përputhje me kushtetutën e Kosovës, për të marrë miratimin final të përfaqësuesve të popullit”, shkroi ajo në Facebook.
Osmani e ka falënderuar Presidentin e SHBA-ve, Donald Trump, për “lidershipin e tij dhe për ftesën që ta përfaqësoj Republikën e Kosovës në këtë moment historik”. “Kosova do të jetë në shërbim te paqes, sot e përherë!”, shtoi ajo.
Bordi i Paqes është themeluar nga Trump, ndërsa Presidentja Vjosa Osmani nënshkroi pjesëmarrjen e Kosovës në këtë bord, duke e bërë vendin që udhëheqë si një nga shtetet themeluese.
Për të qenë pjesë e Bordit të Paqes, nënshkrimin e kanë dhënë të enjten 19 shtete: Argjentina, Armenia, Bullgaria, Bahrejni, Azerbajxhani, Hungaria, Indonezia, Jordania, Kazakistani, Katari, Kosova, Maroku, Pakistan, Paraguai, Arabia Saudite, Turqia, Emiratet e Bashkuara Arabe, Uzbekistan dhe Mongolia.









