Në emisionin “Debat Plus” në RTV Dukagjini, ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, është përballur me pyetjet e gazetarit Lirim Mehmetaj lidhur me pagesat që i ka marrë nga kompania GEN-I Beograd dhe tërheqjen e qindra mijëra eurove në para të gatshme nga një bankë në Kosovë.
Mehmetaj e ka pyetur Berishajn se pse kishte marrë 0.5 për qind të vlerës së kontratave për furnizim me energji elektrike, të cilat GEN-I Beograd i kishte siguruar në Kosovë, Shqipëri dhe Mal të Zi, si dhe pse kishte tërhequr rreth 920 mijë euro cash nga një bankë në Kosovë.
Gjatë përballjes, Berishaj eshte perballur edhe me dokumente që deshmojne transaksionet financiare, duke kërkuar sqarime për burimin dhe arsyen e këtyre pagesave.
“Pse i ke marrë 0.5 për qind nga kontratat e rrymës, pse i ke nxjerrë një milion euro?”, e ka pyetur Mehmetaj.
Berishaj nuk e ka mohuar se kishte tërhequr 920 mijë euro në para të gatshme, por në arsyetimin e tij është fokusuar te fakti se në kohën kur kishin ndodhur këto transaksione nuk kishte qenë ambasador i Kosovës në Kroaci.
Ndërsa, për pyetjet rreth përqindjes që kishte marrë nga kontratat e energjisë dhe transaksioneve me GEN-I Beograd, Berishaj në disa raste nuk ka dhënë përgjigje konkrete, duke pretenduar se nuk po e kuptonte gazetarin.
“Nuk e di çka jeni duke thënë, për besë. Jeni duke thirrë nëntë e gjysmë në mbrëmje… Sinqerisht nuk jam duke ju kuptuar. Ngadalë, se ia keni çuar pak ndal kësaj pune”, është përgjigjur Berishaj.
Përgjatë bisedës ai disa herë ka kërkuar që pyetjet të lidhen me periudhën kur kishte qenë këshilltar në GEN-I, duke thënë: “Ju duhet me pa se kur kam qenë si këshilltar në GEN-I”.









