Paneli i gjyqtarëve në procesin kundër krerëve të UÇK-së ka njoftuar se ish-komandanti i NATO-s, Wesley Clark, pritet të fillojë dëshminë e tij pasditen e 18 nëntorit, ose më së largu në mëngjesin e 19 nëntorit.

Në një shkresë të tyre, ata kanë njoftuar se kanë shtuar edhe një ditë shtesë për dëshminë e tij, pas kërkesës së mbrojtjes së Hashim Thaçit.

“Paneli është informuar se 1DW-007 do të jetë në gjendje të fillojë dëshminë e tij vetëm pasdite më 18 nëntor 2025 ose në mëngjesin e 19 nëntorit 2025. Duke shqyrtuar vlerësimet e palëve për dëshminë e këtij dëshmitari, Paneli konsideron të arsyeshme të rezervojë një ditë shtesë seancash, 21 nëntor 2025, për të përfunduar dëshminë e 1DW-007 dhe urdhëron Regjistrin të bëjë përgatitjet e nevojshme në këtë drejtim”, thuhet në vendim.

Ata kanë kritikuar mbrojtjen se nuk ka organizuar si duhet paraqitjen e dëshmitarëve, sipas kërkesave të Panelit.

“Paneli vëren, megjithatë, se deri më tani ekzaminimet e dëshmitarëve të Mbrojtjes nga palët kanë zgjatur më pak sesa ishte vlerësuar fillimisht. Paneli vëren gjithashtu, edhe një herë, se Mbrojtja e Thaçit ka dështuar në mënyrë të përsëritur të përmbushë urdhrin e Panelit që dëshmitarët të thirren në vazhdimësi dhe pa intervale në orar. Si rezultat i mosrespektimit të kësaj praktike nga Mbrojtja e Thaçit, javë të tëra seancash gjyqësore kanë qenë të detyruara të anulohen”, shkruajnë ata në vendim.