Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i ka dërguar një letër ministrit në detyrë të Financave, Hekuran Muratit, duke i kërkuar që të zhbllokojë buxhetin e kryeqytetit, i cili sipas tij po mbahet peng nga vendimmarrje politike.

Në një postim në Facebook, Rama ka akuzuar Muratin se po e vonon me qëllim ekzekutimin e buxhetit të Prishtinës, ndonëse ai është i përcaktuar qartë në Ligjin për Ndarjet Buxhetore për vitin 2025.

“Hekuran Murati, boll me lojëra politike, zhblloko buxhetin e kryeqytetit. Mos rri duke ia hedhur përgjegjësinë të tjerëve. Çka po ndodh me buxhetin e Prishtinës është rezultat i vendimeve të tua politike, i askujt tjetër”, ka shkruar Rama.

Ai ka theksuar se çdo reagim publik i ministrit në Facebook është “vetëm përpjekje e lodhtë për të manipuluar narrativën publike dhe për të zhvendosur fajin”.

Sipas Ramës, buxheti i Prishtinës në vlerë prej 33 milionë eurosh vazhdon të jetë i bllokuar, prej të cilave 23 milionë janë të hyra vetanake dhe 10 milionë janë grant qeveritar.

“Kemi dërguar edhe një shkresë tjetër zyrtare Ministrisë së Financave, sepse buxheti i Kryeqytetit vazhdon të mos ekzekutohet. Për këtë, përgjegjësia politike është e jotja”, ka theksuar ai.

Në fund, Rama i ka bërë thirrje Muratit që të ndalojë “kalkulimet politike” dhe të mos e mbajë peng Prishtinën.

“Ta kesh të qartë: asnjë status, asnjë justifikim dhe asnjë tentativë për t’u fshehur pas retorikës politike nuk do të të shpëtojë nga përgjegjësia publike. Kryeqyteti nuk do të mbahet peng i askujt, as i yti”, ka përfunduar Rama.