Ish-Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, duke komentuar protestën e kësaj të marte (1 shtator) të Komunave, ka thënë se “regjimi i Kurtit nuk ju la rrugë tjetër Kryetarëve pëveç se të dalin në rrugë”.

“Boll është boll”, shkroi Haradinaj në një postim në profilin e tij zyrtar në Facebook.

Kryetarë të Komunave në Kosovë kanë mbajtur protesë ndaj veprimeve të Qeverisë kundrejt qyteteve të cilat nuk udhëhiqen nga Vetëvendosje.

Ata kanë parashtruar shtatë kërkesa:

– Kompensimi i obligimeve financiare nga kontratat kolektive

Kërkohet që Qeveria t’i kompensojë obligimet financiare që rrjedhin nga kontratat kolektive dhe që aktualisht po rëndojnë buxhetet komunale përmes vendimeve gjyqësore dhe procedurave përmbarimore.

-Mbulimi i kompensimit retroaktiv për përvojën e punës

Kërkohet që kompensimi retroaktiv për normën e përvojës së punës prej 0.5%, nga marsi i vitit 2023, si dhe për vitet 2024 dhe 2025, të mbulohet nga buxheti qendror dhe jo nga buxhetet komunale.

-Rishikimi i kritereve të grantit specifik për arsim

Kërkohet rishikimi i kritereve të grantit specifik për arsim, pasi mbi 3,100 mësimdhënës kanë mbetur pa financim, duke krijuar një barrë të konsiderueshme shtesë për komunat, e cila vetëm gjatë këtij viti tejkalon 24 milionë euro.

–Ndalimi i centralizimit dhe respektimi i kompetencave komunale

Kërkohet ndërprerja e praktikave të centralizimit dhe e cenimit të kompetencave të komunave, përfshirë çështjet që lidhen me pronën komunale, procedurat e rekrutimit dhe ushtrimin e kompetencave të tjera vetanake.

-Përgjegjësi institucionale për humbjen e mbështetjes financiare

Kërkohet përgjegjësi institucionale për humbjen e mbështetjes financiare nga Bashkimi Evropian, si dhe për zvogëlimin e mjeteve të Grantit të Performancës Komunale.

-Kompensimi i dëmeve nga fatkeqësitë natyrore

Kërkohet kompensimi i dëmeve të shkaktuara nga vërshimet dhe fatkeqësitë e tjera natyrore që nga viti 2022.

-Krijimi i grantit të katërt për investime kapitale

Kërkohet krijimi i një granti të katërt për investime kapitale, me kritere të qarta, të përcaktuara me ligj dhe transparente për të gjitha komunat.