Deputetët e PDK-së, Ganimete Musliu dhe Fadil Demaku, kanë lëshuar mbledhjen e Komisionit për Administratë Publike, Digjitalizim, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal.
Musliu tha se Kuvendi nuk mund të vazhdojë me punë rutinore, derisa qytetarët po kërkojnë që prioritet të jetë shqyrtimi dhe ndryshimi i Ligjit për Dhomat e Specializuara.
Ajo tha se deputetët duhet të jenë të bashkuar rreth kësaj çështjeje, duke e cilësuar situatën aktuale si “të jashtëzakonshme”.
Edhe Demaku tha se projektligji për Dhomat e Specializuara duhet të jetë “prioriteti numër një” i Kuvendit dhe se çështjet e tjera mund të presin.
Nga ana tjetër, kryesuesi i komisionit, Albert Kinolli, tha se thirrja e mbledhjes ishte pjesë e detyrës së tij si kryetar, ndërsa u shpreh se shpreson që amendamentimi i projektligjit për Dhomat e Specializuara së shpejti të vijë në Kuvend.









