Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë, të premten në mbrëmje, la në fuqi vendimin e Gjykatës për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për pezullimin e Zëvendës-Kryeministres dhe Ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku, duke rrëzuar kështu kërkesën e Kryeministrit shqiptar, Edi Rama, për shfuqizimin e kësaj mase.

Tetë gjykatësit e Kushtetueses në Tiranë votuan katër me katër, pra u ndanë barabartë në votim, duke mos arritur numrin e nevojshëm prej pesë votash për të rrëzuar pezullimin e Ballukut.

Vendimi u shpall nga kryetarja e Gjykatës, Fiona Papajorgji.

Pezullimi i vendosur mbi Ballukun do të mbetet në fuqi. Vendimi u mor në seancën maratonike të Gjykatës më të lartë në Shqipëri këtë të premte, pas tri seancave të mëparshme në të cilat gjyqtarët kishin kërkuar më shumë kohë për shqyrtimin e dosjes.

Pikëpyetja e madhe e gjyqtarëve ishte nëse një zyrtar qeveritar mund të pezullohet nga puna pa lejen e Kuvendit, si bartës i masave të imunitetit që ligji parasheh për deputetin.

Ky vendim i Gjykatës Kushtetuese i hap tashmë rrugë shqyrtimit në Kuvend nga Këshilli i Imunitetit për një tjetër masë më të ashpër, atë të arrestit, që SPAK ka kërkuar për Ballukun që prej dhjetorit të vitit të shkuar, por që është lënë pezull për shkak se shumica kishte kërkuar fillimisht të dëgjonte vendimmarrjen e Gjykatës Kushtetuese.

Belinda Balluku është marrë e pandehur për tenderin e tunelit të Llogarasë, si dhe është në hetim për të 7 lotet e Unazës së Madhe, si dhe për të paktën 3 procedura të tjera tenderuese.