Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama dhe nënkryetari Shkëmb Manaj, kanë dorëzuar të premten një lëndë në Gjykatën Kushtetuese ndaj Ministrisë së Financave lidhur me buxhetin e kryeqytetit.
Rama e akuzoi Ministrin në detyrë të Financave, Hekuran Muratin, për bllokadë politike.
“Kjo qeverisje vetëm bllokada ka bërë për çështje puro politike, ky ministër e ka blloku procesin kur e kanë parë që si kryeqytet po transferohemi. Kanë parë zhvillim dhe si rezultat kanë marrë masa të tjera ilegale. Ato fonde janë tonat dhe të taksapaguesve te kryeqytetit. Ne kemi përgatitur padi të tjera për ministra të tjerë”, ka thënë ai.
Sipas Manajt, për 9 muaj Ministria ka bllokuar buxhetin e komunës. Ky veprim, siç konsideron ai, ka dëmtuar qytetarët.
“Kjo me argumentin tonë që e kemi ngritë në Kushtetuese, përbën shkelje ligjore sepse cenohet buxhetimi i Komunës dhe vetë qytetarët dhe projektet që duhet të bëhen në kryeqytet. Kjo bllokadë është puro politike dhe ne kërkojmë nga Gjykata që ta trajtojë me seriozitet dhe të lejohet buxheti prej 35 milionë eurosh”, tha Manaj.









