Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, e ka kallëzuar penalisht Ministrin në Detyrë të Financave, Hekuran Muratin. Kallëzimi ka të bëjë me bllokimin e mjeteve financiare për Komunën e Prishtinës nga ana e dikasterit të udhëhequr nga Murati. Sipas dosjes së dorëzuar, përmes këtyre veprimeve, Hekuran Murati ka “bllokuar projektet e investimeve kapitale, subvencionet dhe mallrat dhe shërbimet, duke rrezikuar edhe shërbimet shëndetësore, shujtat e fëmijëve në institucionet parashkollore”.
“Personat e kallëzuar në cilësi të personave zyrtar, përkatësisht si titullar të institucionit qeveritar, me dashje dhe në kundërshtim me autorizimet e tyre ligjore dhe legjislacionin në fuqi, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar i tejkalojnë kompetencat e tyre ose nuk i përmbush detyrat zyrtare të tyre me qëllim që t’i shkaktojë dëm institucionit publik Komunës së Prishtinës duke mos bërë alokimin e mjeteve financiare për Komunën e Prishtinës në këtë mënyrë kundër ligjshëm dhe në kundërshtim të hapur me interesin publik të qytetarëve të Kryeqytetit”, thuhet në kallëzimin penal që e ka publikuar i pari i Prishtinës.
Përveç Muratit, kallëzimi penal drejtohet gjithashtu edhe ndaj Salvador Elmazit, Drejtor i Departamentit të Buxhetit në Ministri, sekretarit Arton Ahmeti, si dhe Nysret Kocës në cilësinë e ushtruesit të detyrës së Drejtorit të Thesarit.










