Që të përfundojë bllokada politike në Kosovë, duhet të respektohet vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese për procesin e konstituimit të Kuvendit, ka deklaruar Michael Reiffenstuel, Drejtor për Ballkanin Perëndimor në Ministrinë e Jashtme të Gjermanisë.
“Gjatë takimeve me aktorët politikë të Kosovës, ai theksoi nevojën për respektimin dhe zbatimin e plotë të vendimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese, me qëllim përfundimin e bllokadës politike”, thuhet në njoftimin e ambasadës gjermane në Prishtinë.
Reiffenstuel e dha këtë mesazh pas një vizite dyditore në Kosovë (10–11 gusht), gjatë së cilës u takua me krerët e shtetit, kryetarët e partive politike, komandantin e KFOR-it dhe me përfaqësues të partive e shoqërisë civile të komunitetit serb në Mitrovicë.