Mosfunksionimi aktual i Kuvendit të Kosovës është duke paraqitur pengesa në përgatitjet për dërgimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në Gaza në kuadër të Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese për Gazën, ka thënë Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.
“Mungesa e funksionalitetit të Kuvendit të Kosovës, përveç shumë pengesave që i bënë zhvillimit të përgjithshëm është duke u bërë pengesë edhe për mosdërgimin e FSK-së në Gaza. Ende jemi në fazën e përgatitjeve, mirëpo është procedurë. Na duhet miratimi në Qeveri, ky vendim pastaj kalon në Kuvend – Kuvendi me shumicë votash aprovon shkuarjen, pra mandaton FSK-në për të marrë pjesë në Gaza dhe në fund përcillet tek presidenti ose presidentja e vendit për atë aprovimin përfundimtar final për pjesëmarrje”, ka thënë Maqedonci në një intervistë në Tëvë1.
I pyetur nëse ka pasur koordinim në mes të Presidentes Vjosa Osmani dhe Qeverisë sa i përket Bordit të Paqes, pjesë e të cilit u bë Kosova dhe i cili u themelua nga Presidenti amerikan, Donald Trump, ministri tha se ka pasur komunikim.
“Nuk ka pasur mungesë komunikimi, pra ka pasur komunikim dhe ky komunikim normal është zhvilluar në aspektin institucional”, shtoi ai.
Maqedonci tregoi edhe për detajet se çfarë roli do të ketë FSK-ja në Gaza, derisa bëri me dije se mbi 20 ushtarë do të shkojnë atje.
“Ne po planifikojmë të dërgojmë mbi 20 ushtarë fillimisht, do të jenë ushtarakë që janë të fushave të ndryshme, do të dominojë… dhe deminimi që është një specialitet tashmë i FSK-së. Do të kemi oficerë dhe nënoficerë nga operacionet speciale, por gjithashtu do të kemi oficerë planifikues që do të jenë të atashuar në komandën e forcës stabilizuese, por do të kemi edhe ekipe mjekësore të cilat do të jenë pjesë e këtij kontingjenti të FSK-së”, deklaroi ai.
I pyetur për koston financiare, Maqedonci tha se do të bëhet e ditur pas vendimit të Qeverisë. “Nuk e kam si informacion të saktë këtu që ta jap, mirëpo do të bëhet publik në momentin kur aprovohet nga Qeveria dhe shkon në Kuvend për miratim”.
“Normalisht të gjitha operacionet kanë kosto financiare, kanë kosto edhe të rrezikut, mirëpo ne për një kohë të gjatë, për 20 vite kemi qenë konsumues të sigurisë dhe tani ne kemi ardhur në një nivel ku ne po bëhemi eksportues të sigurisë”, pohoi ai.









