Gazeta gjermane Sueddeutsche Zeitung i ka kushtuar një artikull vizitës së fundit të komisioneres evropiane për zgjerim, Marta Kos, në Kosovë dhe raporteve të Kosovës me Bashkimin Evropian në përgjithësi.
Në artikull fillimisht nënvizohet fakti se komisionerja Kos ka vonuar vizitën në Kosovë për një vit e gjysmë dhe të njëjtën e ka bërë të fundit nga vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.
“Një vit e gjysmë pas marrjes së detyrës, Marta Kos e vizitoi të premten e kaluar Kosovën si vendin e fundit nga të gjithë kandidatët për anëtarësim në BE. Vizita ishte shtyrë kaq gjatë edhe për shkak se kryeministri Albin Kurti prej më shumë se një viti qeveris pothuajse vetëm në detyrë”, shkruan Sueddeutsche Zeitung.
Në artikull theksohet se arsyeja e vizitës më shumë se me diplomaci aleatësh kishte të bënte me urgjencën e trajtimit të fondeve të Planit të Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor. Kësti i parë nga 882.6 milionë euro të planifikuara për Kosovën nga ky fond, siç shkruhet në artikull, mund të humbasin për shkak të bllokadës politikë në Kosovë.
“Deri në vitin 2027, për Kosovën janë paraparë gjithsej 882.6 milionë euro, që përbëjnë pothuajse 25 për qind të buxhetit vjetor të shtetit. Nëse Prishtina arrin të përmbushë reformat fillestare deri më 30 qershor, do të mund të përfitonte këstin e parë prej 90.7 milionë eurosh nga Brukseli. Pas bllokadës së gjatë politike në vend, kjo konsiderohet e pamundur. Marta Kos kishte paralajmëruar një muaj më parë se pa reforma këto fonde do të ‘humbeshin përgjithmonë’”, theksohet në artikull.
Në artikull Kurti përshkruhet si një lider me legjitimitet të fortë elektoral, të cilit shpeshherë edhe nga “vëzhguesit dashamirë” i atribuohen qasje autoritare ndaj opozitës, gazetarëve dhe sistemit të drejtësisë.









