Deputetët pritet të votojnë për nënkryetarin nga komuniteti serb.
Slavko Simiq nga Lista Serbe, në tri tentativa, nuk arriti të marrë votat e nevojshme.
Më pas, me propozimin e kryetarit të ri të Kuvendit, Dimal Basha, u procedua me short.
Kandidatët e Listës Serbe nuk pranuan të jenë pjesë e procesit dhe as të paraqiten si kandidatë.
Shorti më pas nxori emrin e Nenad Rashiqit, por as ky nuk mori mbështetjen e mjaftueshme.
Vetëvendosje votoi në favor të tij, Partia Demokratike e Kosovës abstenoi, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës nuk mori pjesë në votim.
Njohës të punës së legjislativit kanë theksuar se ndarja e votimit për nënkryetarët nga komunitetet jo-shumicë përbën shkelje kushtetuese.
Sipas praktikave të mëhershme dhe interpretimeve kushtetuese, dy nënkryetarët nga komunitetet jo-shumicë votohen në pako.
Mirëpo, me propozimin e deputetit Elbert Krasniqi, pjesë e Qeverisë Kurti 2, kjo procedurë u nda.
Dimal Basha u zgjodh kryetar i Kuvendit me 73 vota, ndërsa nënkryetarë u zgjodhën; Albulena Haxhiu, Vlora Çitaku, Kujtim Shala dhe Emilja Rexhepi.
Kryetari Basha është vënë në shënjestër të kritikave të ashpra për qëndrimet e tij të mëhershme ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në një punim të ashtuquajtur akademik, ai, në bashkautorësi me një maqedonase, Jana Arsovska, ka theksuar se “UÇK-ja u ngrit dhe u mbështet nga paratë e trafikut të drogës”.