Mesnata e së premtes paraqet afatin e fundit që Kuvendi i Kosovës të zgjedhë kryetarin dhe pesë nënkryetarët, duke e përmbyllur procesin e konstituimit.

Kështu ka deklaruar për Vox Kosovën, hulumtuesi i Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), Eugen Cakolli, i cili vlerëson se kërkesa e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, për shtyrje procedurale ka qenë e lejueshme, por pa efekt praktik.

“Në aspektin procedural, zoti Kurti ka pasur të drejtë ta kërkojë një shtyrje të tillë, ndonëse praktikisht e përmbajtësisht kjo kërkesë nuk ka kuptim, meqenëse janë shfrytëzuar 29 nga 30 ditët pa asnjë rezultat”, tha Cakolli.

Sipas tij, është e vështirë të pritet ndryshim i situatës brenda një dite shtesë, sidomos pasi qëndrimet e partive politike tashmë janë të qarta.

“LDK-ja e ka bërë të qartë se nuk është e interesuar për pozitën e kryetarit të Kuvendit”, shtoi ai.

Cakolli paralajmëron se problemi më i madh lidhet me pasojat kushtetuese që mund të sjellë moskonstituimi i Kuvendit.

Ai tha se nëse procesi zvarritet edhe më tej, vendi mund të përballet me një situatë të paprecedentë, pasi ushtruesit të detyrës së Presidentit do t’i skadojë mandati më 4 tetor.

“Nga 5 tetori e tutje, vendi nuk do të ketë as ushtrues detyre të Presidentit, që është një situatë krejt e paparë kushtetuese, nga e cila vështirë se mund të gjenden zgjidhje brenda formatit aktual”, deklaroi Cakolli për Vox Kosovën.