Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) konsideron se janë 882 milionë euro që i janë bllokuar Kosovës për shkak të ngërçit politik në Kuvendin e Kosovës.
Në postimet në Facebook, kjo organizatë dhe drejtuesit e saj shkruajnë se këto janë fonde që Kosova do të duhej të fillonte t’i përfitonte nga Plani i Rritjes së Bashkimit Evropian.
“882 milionë euro të bllokuara për shkak të një Kuvendi që nuk po bëhet. Dëm i interesave të ngushta partiake. #ShtetiNëPauzë”, ka shkruar Ismet Kryeziu, drejtor ekzekutiv i kësaj organizate.

Të dielën u shënua dështimi i 46-të i deputetëve për të zgjedhur kryetarin. Palët mbesin në qëndrime të palëkundura, përkundër një vendimi të Gjykatës Kushtetuese.
Çështja është ndalur te propozimi i kryesuesit, Avni Dehari, që zgjedhja e kryetarit të bëhet me votim të fshehtë.
Kandidate për herën e 46-të është Albulena Haxhiu.
Megjithatë, pyetje të tjera i janë adresuar Gjykatës Kushtetuese – për të sqaruar më tej votimin e fshehtë dhe çfarë ndodh pas afatit 30-ditor për zgjedhjen e kryetarit.









