“Duhet të jetë konsensual, për bindjen time, të fuqishme, si shprehje e unitetit popullor duhet të jetë jashtë skenës politike, të jetë mbi partiak. Dhe të jetë dikush i cili nuk është pjesë e polemikave të aktualitet”, thoshte Kurti më 18 maj të 2026-ës.
Pra Albin Kurti e do një president jopartiak, jashtë politikave ditore e konsensual në 2026-tën.
Por për ne është vështirë të të besojmë Kryeministër pasi, ky Albin Kurt, një President të tillë nuk e donte në 2011-ën- kur Kosova si kurrë më parë arriti të mirrej vesh për një emër të tillë, konsensual.
Atifete Jahjaga, kishte ardhur pikërisht si emër i tillë, që u dakordua mes tri partive politike, jashtë partive politike, e jashtë cdo polemike ditore.
Por atë botë, lideri i Vetëvendosjes, kur Thaci, Mustafa e Pacolli e përmbyllën marrëveshjen me një emër konsensual, ai deklaronte diçka tjetër nga sot.
“Konsensusin e tyre partiak e bënë publik nga ndërtesa e Qeverisë së Kosovës thuajse për të na treguar që kemi të bëjmë me uzurpim konsensual të institucioneve. Nuk kemi kurrfarë tejkalimi të krizës në Kosovë me pazarin e mbrëmshëm – vetëm se u akomoduan ambiciet e politikanëve që drejtojnë partitë për hir të vetes së tyre”, thoshte Kurti.
Ju e kundërshtuat pra atë emër konsensual zoti Kurti, ditën që u arrit ajo marrëveshje, e lëre më që s’morrët pjesë në atë seancë, e aq më pak ta votoni, përkundrazi e bojkotuat krejtësisht.
Andaj jo z.Kurti, ju s’jeni për një emër konsensual. Jeni për një emër partiak, siç ishit kur e propozuat Glauk Konjufcen, dhe siç ishit kur e bëtë Vjosa Osmanin Presidente përderisa ishte në anën tuaj.
Dhe nëse nuk e çon prapë vendin në zgjedhje, më dëshirën që ti afrohesh 80-shit të deputetëve, ju me kompromis edhe mund ta zgjidhni dikë, që asesi s’do të jetë konsensual por veç i dëgjueshëm për ju, ose saktësisht një i tillë sic ia keni përshkruar vetë “mikut tuaj”, Lumir Abdixhikut.








