Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, rezulton të ketë lidhje biznesore me kompaninë sllovene CETIS, e cila ka shtypur fletëvotimet për zgjedhjet në Kosovë. Disa prej këtyre fletëvotimeve, të prodhuara nga kjo kompani, kanë ngritur dyshime serioze për manipulime me vota në Mitrovicë gjatë raundit të dytë të zgjedhjeve.

Sipas dokumenteve të publikuara nga mediat, Berishaj ka qenë pjesë e një kompanie për organizimin e lojërave të fatit në Shqipëri, “Nacional Sh.A”. Në dokumentet e publikuara, ai figuron si bashkëortak në kompani, së bashku me CETIS D.D, ku vetë mban 10% të aksioneve.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se ka pranuar përgjigje zyrtare nga Kompania CETIS, e cila ishte përgjegjëse për fletëvotimet e zgjedhjeve lokale, në të cilën kanë thënë se e marrin përgjegjësinë e plotë për gabimet që kanë ndodhur.

KQZ ka njoftuar se pas pranimit të fotografive që tregonin gabimin në lidhje me fletëvotimet në Mitrovicë, kompania ka zhvilluar një hetim të plotë të procesit të prodhimit dhe përgatitjes së të dhënave.

“Hetimi ka zbuluar se problemi ka ndodhur vetëm në një nga katër kokat e printerit që shtyp numrin e vendvotimit, përderisa sistemi i kontrollit monitoron vetëm numrin serik (QR kodin), ndaj gabimi nuk është detektuar gjatë shtypjes”, thuhet në njoftim.

CETIS ka marrë plotësisht përgjegjësinë “për këtë gabim teknik”, duke nënvizuar se fletëvotimet përmbajnë “elemente të shumta sigurie që e bëjnë të pamundur falsifikimin ose kopjimin e tyre”.

“Kompania shpreh keqardhje të thellë për incidentin dhe konfirmon se mbetet në dispozicion të plotë të KQZ-së për çdo ndihmë në hetimin dhe verifikimin e fletëvotimeve për të sqaruar rrethanat e rastit”.

KQZ ka njoftuar se për këtë përgjigje nga Kompania CETIS është njoftuar Prokuroria e Shtetit.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda, ka kërkuar në emër të partisë që Mitrovica të shkojë në rivotim, pas dyshimeve serioze për manipulim me vota.

“Ka fletëvotime nga një klasë në tjetrën, nga një shkollë në tjetrën. Është e vetmja komunë ku dalja është me e madhe se në raundin e parë. Në 2011 Mitrovica ka shku në rivotim për shkak të baterive. Këtë herë dështimi është më serioz dhe absolutisht ndikues në procesion zgjedhor dhe në rezultatin”, tha ai në një konferencë për media.

Ai konsideron se këto “janë shkelje të qarta të ligjit dhe ngre dyshime të bazuara për lëndim të procesit zgjedhor dhe aktivizim të trenit bullgar që është mekanizëm që mundëson vjedhjen e votës”.

“Ka disa fletëvotime që janë gjendur në vendin ku nuk duhet. Procesi zgjedhor në Mitrovicë është cenuar rëndë… Në këto kushte, kërkesa e PDK-së është që Mitrovica të shkojë në rivotim”, shtoi Gruda ndër të tjera.