Fahredin Mujka, vëllai i Faruk Mujkës, Kryeshefit të Ndërmarrjes Ibër-Lepenci, është njëri ndër të arrestuarit në operacionin e Policisë së Kosovës kundër organizimit të skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm.

Në këtë aksion që u zhvillua në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Mitrovicë në rajonin e Mitrovicës, Vushtrrisë, Istogut dhe Skenderajt, u arrestuan 34 persona.

Gjatë këtyre operacioneve theksohet edhe se janë kontrolluar rreth 50 lokacione të ndryshme, si lokale afariste dhe shtëpi private, janë sekuestruar prova materiale që ndërlidhen me veprat penale, përfshirë: rreth 170,000 euro para të gatshme, pesë (5) automjete, armë zjarri, si dhe pajisje dhe materiale të tjera të përdorura për zhvillimin e aktiviteteve të kundërligjshme.

Me vendim të prokurorit 29 të dyshuar janë dërguar në mbajtje, ndërsa të dyshuarit e tjerë janë liruar në procedurë të rregullt.

Fahredini nuk është i vetmi që ka problem me ligjin në familjen Mujka. Njëjtë ka edhe vëllai i tij, Faruku, i cili është pjesë e Vetëvendosjes. Ai madje ka aktakuzë të ngritur nga Prokuroria.

Sipas organit të akuzës, Mujka akuzohet për veprat penale të “Keqpërdorimit të pozitës zyrtare” dhe “Mosraportimit ose raportimit të rremë të pasurisë, të ardhurave, dhuratave, dobisë materiale ose detyrimeve financiare”. Akuzat lidhen me kohën kur ai ka shërbyer si nënkryetar i Komunës së Mitrovicës.

Mujka së bashku me Hysen Muzliukaj, ish-këshilltar i Faton Pecit, dyshohen se i kanë shkaktuar Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP) dëm mbi 125 mijë euro.

Më 17 dhjetor, VOX Kosova kishte publikuar aferën e punësimit ilegal të Faruk Mujkës si Kryeshef në Ndërmarrjen Hidroekonomike Ibër-Lepenci, me ndikimin e drejtpërdrejtë të Ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli, dhe Dejona Mihalit, Koordinatores së Komiteteve në Vetëvendosje.