Kandidati për kryetar të Vitisë nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Labinot Bislimi, ka pretenduar se në këtë qytet ka pasur blerje masive të votave në zgjedhjet lokale të 12 tetorit.  

“Në Viti ka pasur blerje masive të votës nga tri partitë politike. Nuk është shprehur vullneti i qytetarëve në këto zgjedhje, por fuqitë financiare njëra me tjetrën. Këtë e dinë çdo secili qytetar, çdo secili institucion, çdo secili që ka qenë prezent këtu përgjatë kësaj fushate”, shkroi Bislimi në Facebook.

“Është e dukshme se edhe në disa qytete tjera ka ndodhur i njejti fenomen si asnjëherë më parë. Kemi hyrë në një fazë tjetër të një sistemit kriminal në Kosovë. Nuk është më ai i vjetri ku blihej margja e votës. Tanimë blihet thuajse e gjitha dhe çdo njëri. Pra, nuk është një kategori shoqërore që shitet, porse fuqia financiare mund ta ble çdo secilin individ të kësaj shoqërie. Dallon vetëm çmimi, mënyra dhe forma”, shtoi.

Ai ka thënë se për këtë kanë njohuri edhe ambasadat e akredituara në Prishtinë, teksa ka paralajmëruar një konferencë për media për këtë çështje.

Sipas rezultateve preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Sokol Haliti nga Lidhja Demokratike e Kosovës është renditur i pari me 37,99 për qind apo 7,136 vota.  Ndërkaq Bislimi është renditur i katërti me 2,74 për qind apo 514 vota.